Shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi në vitin 2002 shkaktoi diskutime të shumta në media dhe në opinionin publik, ndërkohë që në politikë provokoi zhvillime të reja.

Pas shkarkimit të tij, pas bashkimit të votave të opozitës me një pjesë të deputetëve të Partisë Socialiste duke e akuzuar se e kishte përdorur Prokurorinë për qëllime politike, emisioni “Opinion” ka realizuar një puntatë kushtuar kësaj teme. Të ftuar për të diskutuar rreth saj ishin të ftuar analistët Fatos Lubonja, Andi Bejtja dhe Andi Bushati.

“Mendoj se kemi të bëjmë me një fenomen shumë të vjetër si mendësi dhe vjen nga një armiqësim aq i madh brenda Partisë Socialiste saqë në këtë rast Meta u bë më i afërt për grupin e Berishës se sa vetë Nano. Ky fenomen është i ri thjesht në dukje dhe tregon edhe njëherë se politikanët shqiptarë nuk kanë parime, koherencë, por ndjekin lojërat dhe instiktin e pushtetit”, tha Lubonja.

“Për mendimin tim ky është një rast sa i ri aq edhe i çuditshëm. Në 10 vite të Parlamentit shqiptar ne nuk kishim parë që një bllok i gjerë i Partisë Socialiste t’i bashkohej bllokut të kundërshtarëve të saj, bllokut solid të opozitës. Nga kjo pikëpamje përbën risi, por mendoj se kemi mungesë të madhe risie kur shohim që blloqet unifikohen apo i kundërvihen njëri-tjetrit. Për mua ajo që është kryesorja, por që nuk përbën risi, por vështirësi është fenomeni që këtu po përsëritet konsolidimi i politikës për të vepruar politikisht në dëm të drejtësisë. Prokurori i Përgjithshëm kishte mëkatet e veta, por këtë radhë u godit politikisht”, tha Bushati.

“Mendoj se kjo që ndodhi në Parlamentin shqiptar është diçka e re sepse është hera e parë që ndodh që mazhoranca bashkëpunon me opozitën. Por nuk do të jetë një mazhorancë e qëndrueshme parlamentare sepse qëllimet me të cilat votuan palët ishin të kundërta. Berisha akuzonte ish-prokurorin Rakipi për gjëra të tjera dhe Meta për të tjera. Nuk kishim bashkimin e opozitës me mazhorancën për një qëllim fisnik apo të përbashkët për të luftuar diçka të keqe, kishin thjeshtë interesa. Është një lojë e qartë politike, por ajo që është negative është se pavarësisht se Rakipi i kishte mbushur ditët, nga pikëpamja procedurale u gabua sepse nuk është Parlamenti ai që gjykon një Prokuror, por duhej të ishte ngritur një komision parlamentar që të shqyrtonte faktet dhe më pas i paraqitej Parlamentit dhe votohej. Edhe Presidenti për këtë çështje u unifikua dhe kishte të njëjtin mendim që prokurori duhej të ikte”, tha Bejtja. / tvklan.al