Pas shkarkimit nga Këshilli i Ministrave të kryebashkiakut të djathtë të Vaut të Dejës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar duke e quajtur “hakmarrje personale politike”.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama për vendimin që mori dhe ministrin Sandër Lleshaj për propozimin për shkarkim të Zef Hilës.

“Edi Rama ka shkarkuar sot Zef Hilën kryebashkiakun e Vaut të Dejës. Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve. Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë, dhe mercenarin Sandër Lleshi, një njeri i pa zgjedhur, i pa votuar, pa asnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës. Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkakrimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës. Shkarkimi është një akti kriminal i një autokrati të kriminalizuar që tani po përdor forcën e pushtetit vetëm për të mbrojtur bashkësundimin e tij me krimin”.

Për incidentin e dhunshëm që ndodhi në KZAZ nr.16 mbrëmjen e së enjtes në Bashkinë e Vaut të Dejës, Basha fajëson Kryeministrin Rama dhe Tom Doshin, të cilët i akuzon për skenar të orkestruar prej tyre.

“Zef Hila është një burrë i matur, kurajoz dhe me dinjitet. Ai nuk përzihet në planet tinzare dhe burracake të Edi Ramës kundër njerëzve të pafajshëm. Sepse ajo që ndodhi në Vaun e Dejës ishte një skenar i organizuar nga Edi Rama me Tom Doshin për të krijuar konflikte. Edi Rama është duke kërkuar viktima për të mbajtur pushtetin. Edi Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin. Dhe si përherë këto plane kriminale i bën dhe zbaton me të fortë dhe kriminelë. Ne nuk do ta lejojmë këtë plan antishqiptar, që mund të ndezë përplasje të madhe kudo”. /tvklan.al