Arrestohen drejtori dhe kartelisti i burgut të Lushnjes

Lirimi para kohe nga qelia i Lulzim Cakës, një nga emrat e njohur për drejtësinë në vitet 97- 2000 ka çuar në prangosjen e drejtorit të burgut në Lushnje si dhe kartelistit të institucionit.

Caka, i dënuar më 25 vjet heqje lirie për disa vepra të rëndë penale duhet të linte ambinetet e burgut pas 4 muajsh e 22 ditës, por kartelisti Llazar Mino dhe drejtori i burgut Judmir Shurdhi kanë përllogaritur gabim kohën e lirimit.

Lajmi u bë me dije nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj e cila tha se ky rast do të shërbejë edhe për verifikimin e lirimit abuziv të të dënuarve të tjerë.

Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë: Si rezultat i shkeljeve të evidentuara, në orët e para të mëngjesit Shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve kreu arrestimin në flagrancë të Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. 2. Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë. Ata akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës.

Lulzim Caka tashmë është shpallur në kërkim ndërsa njihet si një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000 në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës.

Caka u dënua me 25 vite burg për vrasjen e Pëllumb Eminit, si dhe për tentativën për vrasje të punonjësve të policisë Gani Malushi dhe Ilir Ngresit, ngjarje këto të ndodhura 20 vite më parë.

Tv Klan