Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Ministri i Drejtësisë urdhëroi lirimin nga detyra të drejtorit të burgut 325 në Tiranë, pasi u ka dhënë leje disa të burgosurve t’i kalojnë ditët e festave pranë shtëpive të tyre. Drejtori i burgut Astrit Osmani, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Drejtësisë, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, si dhe rregulloren e brendshme të burgut.

Ndër persona të dënuar për vepra të ndryshme penale është edhe Nehat Kulla, për të cilin vetëm pak ditë më parë Gjykata e Lartë dha dënimin me 8 vjet burg, për akuzat krijim bandash të armatosura dhe armëmbajtje pa leje. Kjo mendohet të ketë qenë një nga arsyet kryesore të masës ndëshkimore ndaj drejtorit të burgut 325, ku i dënuari Kulla vuante dënimin.

Ndërkohë burimet policore konfirmojnë se personat të cilëve u është dhënë leje, sipas Ministrisë së Drejtësisë në kundërshtim me ligjin, janë kthyer të prangosur sërish në qeli. Në vend të drejtorit të liruar nga detyra Osmani, ministria komandoi inspektorin e drejtorisë së përgjithshme të burgjeve Beqir Metani. Ai do të qëndrojë në këtë post derisa drejtori i përgjithshëm i burgjeve të propozojë kreun e ri të këtij burgu./tvklan.al