Pak ditë pas shkarkimit nga detyra të dhjetë drejtorëve të policisë vendore në të gjithë vendin, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, firmosi shkarkimin e kreut të Institutit të Policisë Shkencore. 

Burime të Tv Klan, pohuan se kreu i Policisë i ka komunikuar Dritan Zotos urdhrin e shkarkimit në zyrën e tij. Zoto ka këmbyer funksionin me Xhevahir Çeloaliajn në Institutin e Policisë Shkencore. Ky i fundit më parë ka kryer detyra të ndryshme në Institutin e Policisë Shkencore ndërsa tashmë kryente detyrën e shefit të sektorit të menaxhimit të pajisjeve laboratorike në të njëjtin Institut.

I kontaktuar në telefon, Zoto, nuk pranoi të jepte komente në lidhje me shkarkimin e tij, duke pohuar se lëvizje të tilla janë të zakonshme në polici. Në mesin e kësaj jave, kreu i Policisë së Shtetit, firmosi shkarkimin e 10 drejtorëve vendorë të Policisë në të gjithë vendin, si dhe zëvendësdrejtorët në disa prej qarqeve.

Po ashtu shkarkimi i kreut të Policisë Shkencore vjen në një moment kur, laboratorët e Institutit janë të mbingarkuar me ekzaminime të sasive të lëndëve narkotike të kapura në të gjithë vendin. Kjo pasi në laboratorët e Institutit të Policisë Shkencore tij, duhet të kryhen ekzaminimet kimike dhe të gjurmëve të të gjithë sasive dhe pakove të kapura në të gjithë vendin. Kjo situatë ka bërë që ambientet dhe të gjitha hapësirat e laboratorit të pushtohen nga lënda narkotike.

Tv Klan