Spasovski: Shkeli Kushtetutën me vetëdije dhe qëllimisht

Rashela Mizrahi vetëm para disa ditëve, duke deklaruar se nuk do të përdorë tabelë tjetër në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, por atë në të cilën qëndron emri i vjetër kushtetues i vendit, Republika e Maqedonisë, nuk mendonte se paraqet problem të paguajë dënim për këtë.

Mbrëmë vonë në Kuvend, i cili me 62 vota “pro” dhe 26 “kundër” vendosi ta dënojë me shkarkim nga pozita në të cilën erdhi vetëm një muaj e gjysmë më parë, pohonte se bëhet fjalë për “shfaqje të lirë teatrale”.

“Të gjitha ato sulme drejt meje, që filluan me antisemitizëm, u përforcuan me çdo dalje timen publike, në të cilat me fakte i kam treguar opinionit të Maqedonisë se sistemi është jofunksional, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është e bllokuar me mijëra lëndë të pazgjidhura”.

Shkarkimin e Mizrahit e kërkoi Kryeministri teknik Oliver Spasovski, për shkak të shkeljes së Kushtetutës, pasi ajo krahas paralajmërimeve vazhdoi të japë deklarata para tabelës me emrin e vjetër të shtetit.

“Për shkak të përsëritjes së mosrespektimit të njëjtë të Kushtetutës dhe të ligjeve është e pashmangshme, përshtypja se ministrja Mizrahi me vetëdije dhe qëllimisht e shkel Kushtetutën dhe Marrëveshjen historike të Prespës, me çka i vuri në rrezik marrëdhëniet me vendet fqinje dhe procesin e euro-integrimeve”.

Në reagimin e parë në orët e para të mëngjesit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski publikoi një fotografi të Mizrahit, nën të cilën ka shkruar: “Disidentët! Pse? Sepse e duan nënë Maqedoninë!”

Shkarkimi i Mizrahit është edhe një nga çështjet që e thellon tensionet në mes pushtetit dhe opozitës, para zgjedhjeve të caktuara më 12 Prill. Por edhe tregues se partia opozitare gjithnjë e më shpesh e sfidon Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, për të cilën edhe opinioni është i ndarë.

Njëra palë mendon se ishte e nevojshme për t’i hapur dyert e vendit për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ndërsa të tjerët mendojnë se është tradhëti, në dëm të identitetit kombëtar maqedonas, i cili për më tepër, deri tani nuk ka arritur të sigurojë as fillim të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.     

Tv Klan