Klemend Balili u shkarkua nga detyra e kreut të Drejtorisë së Transporteve të Sarandës, pas hetimeve të nisura nën dyshimet se ai drejton një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani tha se shkarkimi është bërë për t’i shërbyer hetimit.

Ylli Manjani, ministër i Drejtësisë: “Është shkarkuar për t’i hapur rrugë hetimit. Jemi të rezervuar për të dhënë detaje mbi operacionin”.

I rezervuar mbi këtë operacion ndërkombëtar u shpreh edhe kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ai nuk e mohoi se Balili është nën hetim, ndërsa tha se hetimi përfshin edhe personazhe të tjerë të botës së krimit.

Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit:

Kam dijeni, është operacion i përbashkët me policinë amerikane të drogës, DEA-n, policinë greke dhe disa partnerë. Është një nga operacionet me të suksesshëm në luftë kundër krimit të organizuar. Ka shumë më shumë se sa thuhet në aspektin investigativ. Është bërë shumë zhurmë për këtë gjë. Subjektet nuk mund t’i komentoj për shkak të hetimit dhe karakterit që ka çështja. Janë hetime, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Janë personazhe të botës së krimi

”, deklaroi Çako. I pyetur drejtpërdrejt a është nën hetim drejtori i transporteve në Sarandë, zyrtari më i lartë i Policisë së Shtetit tha se nuk kishte asnjë koment.

Klemend Balili dyshohet se drejtonte grupin e narkotrafikut që u godit të dielën ne Greqi. Në ishullin Zakinthos, autoritete greke bllokuan rreth 700 kg kanabis që ishte nisur me skaf nga Shqipëria dhe arrestuan 15 persona, 5 shqiptarë dhe 10 grekë. Në hetimet për zbulimin e aktivitetit kriminal të këtij rrjeti ishin përshirë edhe agjentë të DEA –s pranë Ambasadës Amerikane në Athinë.

Tv Klan