I PËRDITËSUAR | Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkoi këtë të mërkurë nga detyra magjistratit Kliton Spahiu.

Ishte Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i cili parashtroi në KLGJ kërkesën për shkarkimin e magjistratit Klinton Spahiu nga detyra. Në një njoftim për mediat, ILD përcolli dhe notën informuese për rastin.

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Klinton Spahiu, u bë i njohur për rastin El Clasico, së bashku me 2 gjyqtarë të tjerë, Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri.

Të akuzuar se panë ndeshjen mes Realit dhe Barcelonës me paratë e një biznesmen ata u dënuan me shërbim prove. Në Shtator të 2020-s, Apeli i shpalli fajtorë gjyqtarët për korrupsion, por vendosi që t’i dënojë me 4 vite shërbim prove.

Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Klinton Spahiu

Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me datë 24.02.2021 ka vendosur ndryshimin e objektit të hetimit disiplinor për magjistratin Klinton Spahiu, hetim i nisur nga KLD më 17.01.2018. Në hetimin e tij ILD ka identifikuar shkelje disiplinore për shkak të kryerjes së një krimi, parashikuar nga neni 140 pika 2 shkronja “b” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 104, pika 3 e ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Në analizë të dokumentacionit të administruar në kuadër të këtij procesi disiplinor, rezultoi se gjyqtari Klinton Spahiu, me vendimin gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (nr. 69, datë 29.10.2019), lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (nr. 19, datë 21.09.2020) është deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal.

Magjistrati aktualisht është i pezulluar nga detyra me vendimin nr. 23, datë 09.02.2018 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të marrjes si i pandehur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Ndërkohë gjyqtari Klinton Spahiu me kërkesën me objekt “Heqjen dorë nga detyra e gjyqtarit dhe mbarimi i statusit të magjistratit”, drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe për dijeni Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kërkesë e regjistruar pranë I.L.D me nr. 104., datë 18.01.2021, ka kërkuar miratimin e dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit si të bazuar në nenet 64, pika 1, shkronja “a” dhe 65 të ligjit nr. 96/2016, si dhe duke konstatuar edhe mbarimin e statusit të magjistratit.

Bazuar në nenin 134, pika 1, shkronja “ç” të ligjit nr. 96/2016, paraqitja e dorëheqjes se magjistratit nuk përbën shkak për mbylljen e hetimit disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor me vendimin nr. 69, datë 01.03.2021 ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e dorëheqjes së magjistratit Klinton Spahiu deri në përfundimin e hetimit disiplinor të inicuar ndaj tij nga ILD. Për rrjedhojë rezulton se ai gëzon statusin e magjistratit dhe është subjekt i hetimit disiplinor.

Në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor  si dhe të pranuara nga gjykata rezulton se nga ana e magjistratit Klinton Spahiu janë ndërmarrë veprime aktive me anë të përfitimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, veprime të cilat janë vlerësuar se përmbajnë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal, të kryera gjatë ushtrimit të detyrës, me dashje direkte dhe me qëllim përfitim të parregullt prej tyre, duke favorizuar njërën palë ndërgjyqëse nëpërmjet dhënies së vendimi gjyqësor civil në favor të tij.

Veprimet e magjistratit Klinton Spahiu kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm por edhe nga veprimet e vetë atyre si funksionarë të drejtësisë.

Këto veprime kanë cenuar besimin e palëve ndërgjyqëse dhe të publikut në organet e drejtësisë dhe respektimin e ligjit nga ana tyre, si dhe kanë diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e magjistratit.

Ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit Klinton Spahiu ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe ka cenuar besimin e publikut te drejtësia.

Kur shkelja disiplinore identifikohet me kryerjen e një krimi, për të cilin magjistrati është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, passjell shkarkimin nga detyra të magjistratit, si një masë me natyrë përjashtuese nga sistemi gjyqësor, me karakter të përhershëm, e cila nuk shuhet.

Për pasojë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon nga KLGJ administrimin e provave të paraqitura prej tij në këtë procedim disiplinor, pranimin e kërkesës së ILD për fillimin e procedimit disiplinor dhe caktimin ndaj magjistratit Klinton Spahiu të masës disiplinore “shkarkim nga detyra”.