Ministria e Mbrojtjes shkarkon nga detyra pilotin e Cougar -it me gradën e Nënkolonelit, Altin Lame, që mbante detyrën e Shefit të Zyrës së Sigurisë Ajrore, në Komandën e Forcave Ajrore.

Shkak për lirimin nga Ushtria është bërë shkelja e rëndë e detyrës, pasi ditën e rrëzimit të Helikopterit, në Liqenin e Shkodrës, Nënkoloneli Lame po pilotonte helikopterin e kompanisë private “Shega Air”.

Sipas legjislacionit në fuqi, pilotëve të Forcave të Armatosura nuk i lejohet dy punësimi dhe për këtë fakt është urdhëruar shkarkimi i tij nga detyra.

Burimet thonë se Shefi i Zyrës së Sigurisë Ajrore, në Komandën e Forcave Ajrore, Altin Lame, me datën 6 Prill, kur u rrëzua helikopteri, figuronte në punë me letra, ndërkohë ai ishte në udhëtim me helikopterin e kompanisë private.

Në motivin e shkarkimit thuhet se, ditën e aksidentit, Altin Lame duhet të ishte në repartin e helikopterëve në Farkë, pasi ishte hallka e fundit që miraton lejet e fluturimit, kontrollin e përgatitjen e pilotëve dhe teknikëve të helikopterit “EC 145”.

Pas shkarkimit nga detyra, Prokuroria e Shkodrës i ka dërguar fletë – thirrje pilotit Lame, për të dhënë shpjegime për këto fakte.

Bashkë me pilotin Lame, mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka thirrur edhe Drejtorin e Sigurisë Ajrore dhe të liçencave, në Autoritetin e Aviacionit Civil, z. Altin Vrapi, Drejtoria e të cilit ka për detyrë verfikimin e pilotëve dhe miratimin e liçencave për kompanitë private.

Siç duket, Prokuroria e Shkodrës, krahas hetimit për shakun e rrëzimit të helikopterit të Ushtrisë, po heton edhe Autoritetin e Aviacionit Civil, për ligjshmërinë e dhënies së liçencave kompanisë private të fluturimit.

Si dhe arsyen, pse ka lejuar që pilotët e Ushtrisë të pilotojnë helikopterin e kompanisë “Shega Air” pasi paraprakisht, zyra e Drejtorit të Sigurisë Ajrore dhe të liçencave në Autorititetin e Aviacionit Civil jep miratimin e këtyre fluturimeve.

Nga ana tjetër, për shkakun e rrëzimit ende nuk ka një përgjigjie nga kompania gjermane, që ka marrë për ekzamin kartëmemoriet e kamerës së sigurisë, që ndodhej në kabinën e dy pilotëve, që kanë humbur jetën.

Ndërsa ushtari Gerald Baramuça, edhe pse është pyetur për të disatën herë nga Prokuroria, vazhdon të këmbëngulë se nuk mban mend asgjë nga moment i rrëzimit të helikopterit.

Tv Klan