KPA: Xhezair Zaganjori nuk justifikon pasurinë

“Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit zotit Xhezair Zaganjori, gjyqtar me detyrë kryetari i Gjykatës së Lartë”.

Në këtë mënyrë Kolegji i Posaçëm i Apelimit nxori nga sistemi i drejtësisë kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjorin, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë për të dëgjuar vendimin.

Vendimi është i formës së prerë dhe mundësia e vetme për ta ankimuar është Gjykata e Strasburgut.

KPA prishi në ketë mënyrë vendimin Shkalles se Parë, atë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi në detyrë një vit më parë Zaganjorin.

Kolegji argumentoi se kryetari i Gjykatës së Lartë nuk justifikon pasurinë. Ai kishte probleme me 2 apartamente, një garazh dhe një bibliotekë.

Gjithashtu, KPA tha se nuk përputhen shpenzimet e kryera për shkollimin e dy fëmije në Britaninë  e Madhe dhe Gjermani.

Për rrjedhojë subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm si dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive

Më shkarkimin e Zaganjorit Gjykata e Lartë ka mbetur me një anëtar. Ardian Dvoranin, i cili njëkohësisht mban postin e drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e ka kaluar Vetting-un.

Kjo gjykatë është në kolaps prej një viti dhe numri i dosjeve që presin për shqyrtim ka shkuar në 32 mijë.

Për të shkak se disa ekstradime janë emergjente, pasi disa persona rrezikojnë të lirohen nga burgu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për këto dosje të caktojë gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit.

Kjo është edhe një nga skemat më të cilën pritet t’i jepet zgjidhje situatës. Varianti ishte mes tre rekomandimeve të misionit Euralius dhe u miratua nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor.

Tv Klan