Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Shkarkimi nga puna me dekret të Presidentit të Republikës Rexhep Mejdani i katër prokurorëve, njëri prej të cilëve është edhe prokurori Xhevat Hana, që njihet si prokuror i dosjes Caushi, ka hapur debate të shumta. Për motivacionet e këtij shkarkimi zoti Hana sqaron për Tv Klan.

Prokurori Xhevat Hana:- “Më është bërë një komunikim verbal dy minuta që për një fashikull gjyqësor që është në prokurorinë e Tiranës, e cila i përketë datës 20 Janar 1999, ishte nxjerrë një urdhër ku fillonte procedimi për shkarkimin tim nga detyra. Sapo unë mbarova konkluzionet, mu bë propozimi tek presidenti për të më shkarkuar nga detyra dhe meqënëse nuk u realizua ky shkarkim, pa kaluar muaji u gjet preteksi tjetër për të më shkarkuar. Dua të theksoj që në rastin konkret është dhe një koicidencë që unë jam emëruar më 4 Tetor 1997 prokuror dhe që ditën e parë kamë marrë çështjen e Myrteza Caushit dhe menjëherë sapo dhashë konkluzionet u bë shkarkimi im”.

Gazetarja:- Cili ka qenë motivacioni i paraqitur nga prokuroria, për shkarkimin tuaj?

Prokurori Xhevat Hana:- “As nuk e di, vetëm kaq thuhet për shkelje të ligjit. Por që të thuash shkelje të ligjit do thuash edhe ça ligji ke shkelur. Mendoj se duhet të jetë ajo që më thirrën lidhur me fashikullin e prokurorisë, që nuk më takon mua, unë e kam përfaqësuar në gjykatë dhe kam bërë një ndryshim cilësimi ligjor të veprës, nga një vepër penale në një vepër tjetër penale e cila është ligjore dhe kjo nuk është shkelje ligji”.

Gazetarja:- Konkretisht për cilin proces gjyqësor bëhet fjalë?

Prokurori Xhevat Hana:- “Kjo është një dosje, nje konflikt i një nipi me dajon të cilët janë pajtuar, nuk kanë bërë ankesë fare. Vendimi ka marrë formë të prerë që në Janar të ’99, nuk është ankuar asnjeri. Kjo është thjeshtë një fashikull i marrë këtu fshehurazi në Prokurorinë e Tiranës, mbi këtë bazë u përdor si preteks për të më shkarkuar mua. Fakti është që unë lidhem me çështjen e Myrteza Caushit plus edhe çështje të tjera. Aq më tepër që unë u ngarkova prokuror për çështjen e Fatos Nanos”./tvklan.al