Riorganizohet kabineti i Rishi Sunak, rikthehet ish-Kryeministri David Cameron

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka shkarkuar Suella Braverman nga posti i sekretares së  Brendshme të Britanise së Madhe. Shkak për shkarkimin e saj janë bërë deklaratat që Braverman bëri për protestat pro-Palestinës të mbajtura në Londër. Në një artikull të javës së kaluar Braverman akuzonte  policinë britanike për njëanshmëri ,ç’ka zemëroi jo pak Sunak.

Braverman e quajti protestën pro-palestineze të mbajtur të shtunën një “marsh urrejtjeje”.

Kryebashkiaku laburist i Londrës, Sadiq Khan është shprehur se dhuna gjatë protestave ishte “rezultat i drejtpërdrejtë” i fjalëve dhe sjelljes së saj. Përveç tij, edhe politikanë të tjerë nga opozita kanë kritikuar Braverman.

Për shkarkimin nga detyra ka reaguar Braverman në një postim në rrjetet sociale.

“Ka qenë privilegji më i madh i jetës sime të shërbeja si Sekretare e Brendshme. Kam më shumë për të thënë në kohën e duhur.”

Edhe vitin e kaluar Braverman  u vendos në qendër të kritikave për deklaratat e bëra ndaj çështjes së emigrantëve ku e përshkroi mbërritjen e azilkërkuesve në vend si një ‘pushtim’ kriminal. Në këto deklarata ajo etiketoi edhe emigrantët shqiptarë duke ngjallur debat si në Britaninë e Madhe, por edhe në vendin tonë.

Shqiptarët ju përgjigjën me protesta Braverman ndërsa i kujtuan asaj se ata janë taksapagues të rregullt dhe jo kriminelë. Shkarkimi i Braverman pasoi një riorganizim të qeverisë së kryeministrit Rishi Sunak.

Vendin e Suella Braverman e zuri James Clervly i cili mbante postin e Sekretarit të Jashtëm. Në vend të tij Sunak kthen David Cameron, i cili udhëhoqi fushatën që Britania të qëndrojë në BE. Cameron dha dorëheqjen pasi qytetarët britanikë votuan në favor të Brexit gjatë referendumit të 2016.

Por teksa Suella Braverman u shkarkua, dy sekretarë të tjerë dhanë dorëheqjen: Neil O’Brien, ministër i Shëndetësisë dhe Nick Gibb u larguan nga kabineti.

Klan News