Autoritetet italiane kanë shkatërruar një organizatë italo-shqiptare që merrej me shpërndarjen e kokainës në Pistoia dhe Prato. Gjithsej në pranga kanë rënë 17 persona.

Megjithatë aksioni i policisë është duke u zhvilluar ende dhe pritet të ketë arrestime të tjera. Organizata e kishte bazën në Montecatini. Përveç Pistoia-s dhe Prato-s, banda shpërndante kokainë edhe në provincat e Firenze-s, Lucca-s, Forli-t, Venezia-s, Alessandria-s, Genova-s, Pescara-s, Pavia-s dhe Modena-s.

Grupi kriminal ishte ndarë në dy pjesë. Ata siguronin sasi të mëdha kokaine, në disa raste edhe hashashi dhe siguroheshin që ta çonin deri tek klienti. Hetimet ndaj kësaj bande zgjatën për një vit dhe gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 6 mijë doza, vlera e të cilave shkonte deri në gjysmë milioni euro.

Droga shpërndahej përmes një sistemi me mesazhe. Drejtuesit e bandës dyshohet se janë shqiptarë. Kjo për shkak se nga autoritet u sekuestrua edhe një restorant, pronë e një familje shqiptare./tvklan.al