8 persona të cilët trafikonin klandestinë nga vendet e treta kanë përfunduar në prangat e policisë në Elbasan, mes tyre edhe kreu i këtij grupi, një shtetas turk.

Sipas policisë, këta persona vepronin në kufirin e gjelbër Greqi-Shqipëri dhe Shqipëri-Mal i Zi, duke kaluar klandestinë të cilët vinin nga Siria, Turqia dhe Iraku për në vendet e Bashkimit Europian.

Arrestimi i tyre erdhi pas provave të grumbulluara nga hetimet e kryera me metoda speciale të hetimit.

Kështu, policia arrestoi në flagrancë G.B., 33 vjeç, R.SH., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe R.H., 38 vjeç, banues në Devoll. Ndërsa mbi bazën të provave të siguruara gjatë hetimit, u bë kapja dhe ndalimi e D.Q., 34 vjeç, E.M., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë, A.Z., 32 vjeç, banues në Tepelenë. U.Ç., 39 vjeç, lindur në Stamboll,Turqi, me banim të përkohshëm në Tiranë, si dhe F.S., 21 vjeç, me banim në Tiranë.

Policia sqaron se “këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vepronin si grup kriminal, duke organizuar transportin e shtetasve te huaj nga Kufiri i Gjelbër me shtetin grek në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Mal të Zi. Sipas informacioneve, klandestinet paguanin shuma të konsiderueshme eurosh tek organizatori i këtij trafiku”.

Autoritetet sekuestruan në cilësinë e provave materiale celularë, vlera monetare, si dhe automjete me të cilat këta shtetas realizonin aktivitetin kriminal, ndërsa vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal./tvklan.al