Një rrjet i krimit të organizuar i përbërë kryesisht nga shqiptarë, të dyshuar se trafikonin drogë është shkatërruar me mbështetjen e Europol. 107 persona u arrestuan më 13 Korrik, në një operacion ku morën pjesë autoritetet të agjencive ligjzbatuese në Spanjë, Gjermani dhe Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Europol, grupi kriminal dyshohet se menaxhonte plantacionet me kanabis në Spanjë, ku i kultivonin dhe i procesonin, përpara se t’i transferonin në vende të tjera të Europës për shpërndarje të mëtejshme.

Ditën e aksionit, në terren u angazhuan rreth 400 oficerë policie që ndërmorën operacione në 42 vende të ndryshme në Spanjë (Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón). Në ditët në vijim u ndërmorën edhe 9 kontrolle të tjera.

Në total, u arrestuan 107 persona, shqiptarë, spanjollë, sllovakë e grekë. U zbuluan 51 fabrika kanabisi, u sekuestruan 25 mijë bimë kanabisi, 70 mijë euro kesh dhe 2 automjete luksoze, një detonator, dy armë zjarri, një bllokues valësh etj.

Sipas Europol, ky grup kriminal ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, më degë që operonin ndërkombëtarisht. Disa prej anëtarëve të arrestuar janë me precedentë në fushën e trafikut të drogës në shtete të ndryshme.

Banda kishte bërë po ashtu ndërhyrje në energjinë elektrike për të kultivuar bimët e kanabisit në ambiente të mbyllura. Përllogaritet se sasia e energjisë elektrike të vjedhur shkon deri në 1.6 milionë Euro.

Tre hetues shqiptarë u zhvendosën në Spanjë për këtë operacion në kuadër të projektit IPA2019, që synon luftimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Policia e Shtetit | Krerët e organizatës kriminale, një klan i familjes shqiptare që banonte në Gjermani dhe Spanjë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, në konferencën për shtyp në Madrid, Spanjë, për prezantimin e rezultateve të megaoperacionit të përbashkët të koduar “DOBRA”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.

Njoftimi i Policisë spanjolle: Agjentët e Policisë Kombëtare, në një operacion të përbashkët me Mossos d’Esquadra dhe autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, me mbështetjen e EUROPOL-it, kanë arrestuar 107 persona në kuadër të një operacioni kundër një rrjeti kriminal transnacional me origjinë shqiptare. Rreth 1 ton drogë dhe rreth 25.000 bimë marijuanë janë sekuestruar përgjatë 51 kontrolleve të kryera në Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón.

Hetimi filloi në qershor të vitit të kaluar, pas marrjes dijeni për një rrjet kompleks lehtësuesish të cilët dyshoheshin se po mbulonin një organizatë me origjinë shqiptare për t’u vendosur në Spanjë. Ky rrjet ishte i përbërë nga profesionistë nga sektorët e pasurive të paluajtshme dhe të energjisë elektrike, ndër të tjera, të cilët, kundrejt pagesës paraprake, ndihmuan organizatën të vendoset në Spanjë, duke u siguruar atyre logjistikën dhe infrastrukturën e nevojshme për kultivimin e marijuanës. Pas kryerjes së këtij kultivimi masiv, marijuana shpërndahej në vende të ndryshme në Evropë, përfshirë Gjermaninë, ku vlera e drogës shumëfishohej me pesë.

Në fund të vitit 2020, në kryeqytetin e Gjermanisë, njëra nga dërgesat u neutralizua. Kjo organizatë kishte kamufluar 140 kilogramë boçe marijuanë të paketuara në vakum në një dërgesë të pretenduar të fistikëve përmes një kompanie britanike. Në këtë fazë të hetimit, u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, të cilëve iu sekuestruan përveç të tjerave 100 kilogramë marijuanë, 700 gramë kokainë dhe më shumë se 2.000 euro cash.

Pas atij veprimi, agjentët filluan hetimet në Spanjë mbi drejtuesit e rrjetit dhe metodat e shpërndarjes së tyre, të gjitha të koordinuara nga Gjykata e Instruksionit numër 3 të Reus. Falë bashkëpunimit ndërkombëtar me Gjermaninë, Shqipërinë dhe EUROPOL, ishte e mundur të identifikoheshin krerët e organizatës kriminale, konkretisht një klan i familjes shqiptare, që banonte në Gjermani dhe Spanjë. Pas kësaj, ishte e mundur të lokalizohej një nga drejtuesit e rrjetit i cili, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, drejtuan një rrjet të madh kushtuar trafikut ndërkombëtar të marijuanës.

Si rezultat, majin e kaluar një dërgesë e re në Gjermani u ndërpre, ku organizata kishte pjesëmarrjen e një shoferi sllovak të kamionit, i cili fshehu 100 kilogramë boçe marijuanë të paketuara me vakum në mesin e ngarkesës së tij të ligjshme. Në të njëjtën kohë, në Reus, një shkatërrua një plantacion prej 1.170 bimësh marijuanë, ku u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, anëtarë të rrjetit kriminal.

Së fundi, falë bashkëpunimit të Policisë Kombëtare dhe Mossos d’Esquadra, me praninë e autoriteteve policore nga Gjermania dhe Shqipëria, së bashku me analistët nga EUROPOL-i të specializuar në krimin e organizuar shqiptar, u finalizua operacioni. Një dislokim i gjerë prej rreth 400 agjentësh, që mundësuan kryerjen e 42 ndërhyrjeve dhe kontrolleve të njëkohshme në Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón. Ditë më vonë, agjentët kryen nëntë kërkime të tjera.

Bilanci i përgjithshëm i hetimit, që zgjati më shumë se një vit, arrin në 107 persona të ndaluar dhe 51 prona të regjistruara në të cilat janë shkatërruar disa plantacione të brendshme të marijuanës, përveç ndërprerjes së të tjerave në fazën e montimit. Agjentët kanë sekuestruar rreth një ton marijuanë të përpunuar në boçe, rreth 25,000 bimë marijuanë, rreth 70.000 euro cash, një revolver, një armë gjahu, një bllokues frekuencash dhe tre automjete, dy prej tyre të nivelit të lartë (luksoze).

Për mirëmbajtjen e këtyre plantacioneve ata kishin bërë lidhje të paligjshme, për të mashtruar mbi konsumin e energjisë elektrike, gjë që gjithashtu paraqiste rrezik për pronat fqinje për shkak të rrezikut të lartë të zjarrit në këto objekte, pasi nuk kishin masat e kërkuara të sigurisë. Është vlerësuar se konsumi i gjeneruar nga plantacionet e shkatërruara ka shkaktuar një mashtrim prej më shumë se 1.600.000 euro.

Soreca: Bashkëpunimi ndërkombëtar, thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar

Ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca, ka përshëndetur operacionin ndërkombëtar antidrogë të zhvilluar në Spanjë, ku u shkatërrua një bandë kryesisht me shqiptarë që drejtonte një rrjet të gjerë të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit nëpër Europë.

Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar. 107 të arrestuar, 25 mijë bimë kanabisi të sekuestruara, 70 mijë euro të sekuestruara në Spanjë është një operacion i rëndësishëm nga policia spanjolle me policinë e Shtetit dhe Gjermane e mbështetjen e Europol”, shkruajti Soreca në një postim në Twitter.

Krerët e kësaj organizate kriminale ishin klan i një familje shqiptare, që banonte në Gjermani dhe Spanjë. Në mesin e të arrestuarve, përveç shqiptarëve janë edhe shtetas spanjollë, sllovakë e grekë./tvklan.al