Finalizohet me sukses një tjetër operacion ndërkombëtar

Sot, në orët e para të mëngjesit në Itali dhe Shqipëri, në kuadër të procedimit penal për shkatërrimin e një grupi kriminal në të cilin ishin të përfshirë shtetas shqiptar, u bë ekzekutimi i urdhër-arresteve për 12 shtetas, nga të cilët 7 me masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe 5 me “Arrest në shtëpi”, ndërsa një tjetër shtetas është shpallur në kërkim, pasi nuk është gjetur në banesë.

Në Shqipëri, në kuadër të operacionit vihet në pranga një anëtar i këtij grupit kriminal.

Konkretisht, ditën e sotme, në Fier, u bë kapja dhe ndalimi i Reval Hysenaj 27 vjeç, banues në Bishan, Fier, bazuar në urdhër-arrestin për kryerjen e veprave penale “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Reval Hysenaj, i arrestuar ditën e sotme në Fier, në rolin e tij si pjesëmarrës solid brenda grupit kriminal, kontrabandonte lëndën narkotike kokainë dhe ia dorëzonte personave që kishin negociuar më parë. Gjithashtu ky shtetas ishte i ngarkuar për të mbledhur para nga kontrabandistët vendas dhe konsumatorët.

Ndërsa në Itali, në orët e para të mëngjesit të sotëm u bë ekzekutimi i 11 urdhër-arresteve për shtetas rezident në Itali, ndërsa për një tjetër është bërë shpallja në kërkim pasi nuk është gjetur në banesë.

Vijon puna e përbashkët për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtij grupi të strukturuar kriminal dhe për kapjen e personit të shpallur në kërkim.

Edhe në këtë operacion ndërkombëtar të radhës, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm, besueshmëri dhe vendosmëri për të luftuar me forcën e ligjit, në bashkëpunim me partnerët, krimin e organizuar dhe terrorizimin.