Policia ka goditur një grup kriminal që siguronte dokumente false italiane duke u siguruar qytetarëve kalimin drejt vendeve të BE-së me destinacion Anglinë. Në pranga kanë rënë 4 persona, mes tyre dhe organizatori i grupit, në kuadër të operacionit “Departure”.

Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale janë kapur nga Policia Kufitare me dokumente italiane të falsifikuara, konkretisht me karta identiteti dhe karta shëndeti, të cilat do t’i përdornin pasi të kalonin kufirin nga Shqipëria në drejtim të BE-së, për të hyrë më pas ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Të arrestuarit janë I. B. 29 vjeç organizatori i grupit, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave”; A.C. 19 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave”; F.L. 25 vjeç i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave” dhe K. A. 30 vjeç i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave”.

Gjatë aksionit policia sekuestroi 4 karta identiteti italiane dhe 5 karta shëndeti italiane, të gjitha të dyshuara si false, 4 celularë, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë italiane, 1 patentë italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë – Lubjanë,  4 Boarding Pass me destinacion Lubjanë – Paris.

Operacioni vijon në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. /tvklan.al