Policia italiane shkatërroi një rrjet italo-shqiptar që kontrollonte trafikun e drogës mes Shqipërisë, Italisë dhe Holandës. Mes 16 të arrestuarve 12 janë shqiptarë, 4 të tjerët italianë mes të cilëve edhe një grua. Narkotrafikantët u arrestuan gjatë një operacioni në Breshia. Prokuroria kishte lëshuar erdhër-arreste edhe për 4 të tjerë, të cilët janë ende në kërkim.

Grupi furnizonte me drogë kryesisht tregun italian. Marijuanën e merrte nga Shqipëria, ndërsa kokainën nga Hollanda. Hetimet për këtë rrjet nisën vitin e kaluar. Rezulton se rrjeti ka trafikuar dhjetëra tonelata marjuanë nga Shqipëria.

Si bazë kishin një zonë pranë Vlorës, nga ku lënda narkotike nisej me gomone drejt Italisë. Pasi mbërrinte në brigjet e Kalabrisë, droga transportohej drejt Breshias në automjete të modifikuara apostafat për fshehje narkotikësh. Me marjuanë, ky grup furnizonte edhe Holandën. Droga drejt këtij vendi, sipas mediave italiane, trafikohej me avionë. Në rrugë ajrore bëhej edhe transporti i kokainës nga Holanda drejt Italisë.

Është e paqartë nëse ky grup ka lidhje me shqiptarët arrestuar për llogari të prokurorisë së Firences më herët gjatë këtij muaji, që po ashtu merrej me trafikun e kokainës nga Holanda drejt Italisë. Ndër të arrestuarit ishte edhe Valentin Selaj, i komentuar gjerësisht në mediat italiane për lidhjen e tij me një prezantuese shqiptare.

Tv Klan