Një rrjet i trafikut të kokainës në ishullin e Mykonos në Greqi është shkatërruar nga policia në një operacion që u zhvillua pasditen e së premtes.

Katër persona u arrestua në përfundim të aksionit. Për gjurmimin e anëtarëve të grupit u përdorën edhe dronat, për të bërë më të lehtë identifikimin e tyre. Shtypi grek shkruan se drejtuesi i këtij rrjeti është një shqiptar, të cilin e konsideron “kokën e mafias” në Mykonos.

Shqiptari është një person me precedente të shumta penale dhe i arrestuar e dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale. Për herë të fundit nga burgu ai doli në vitin 2015.

Policia sekuestroi lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe makina. Kokaina importohej nga Holanda, më pas transportohej dhe magazinohej në Athinë dhe pastaj dërgohej në Mykonos.

Hetimet për këtë grup nisën në Tetor të vitit 2020, kur dhe policia greke mori sinjalizimet e para për këtë rrjet që vepronte në ishull. Grupi kriminal kishte strukturë të organizuar dhe anëtarët kishin detyra të përcaktuara. Përveç kokainës, ata trafikonin edhe kanabis në ishullin e Mykonos. /tvklan.al