Shkeljet flagrante me tenderin e rrugës nga Bashkia e Peshkopisë

Shkeljet flagrante me tenderin e rrugës nga Bashkia e Peshkopisë

21:02 26/12/2017

Emisioni “STOP” hedh dritë mbi një tender për asfaltimin e 4 rrugëve rurale nga ana e Bashkisë së Peshkopisë. Por Baudin Rama, pronari i " Euraldi" sh.p.k & “Curri” sh.p.k, i skualifikuar nga kjo garë, ankohet duke thënë se Bashkia ka bërë një sërë shkeljesh.

Baudini është skualifikuar herën e parë, por një vendim i Komisionit të Prokurimit Publik detyron autoritetin kontraktor ta rifusë në garë “Euraldi” sh.p.k & “Curri” sh.p.k.

Gazmend Miftari, personi që nuk ka lejuar rifutjen në garë të subjektit, duket që nuk ka dijeni për vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik edhe pse dokumenti mban firmën e tij.

Si të mos mjaftonte kjo, në licensën e operatorit fitues “Selami sh.p.k” dy persona, Fatos Mandri dhe Dilaver Idrizi, rezultojnë të punësuar edhe në Bashkinë e Peshkopisë.

Më datë 20.07.2017, në sistemin e prokurimeve elektronike është publikuar procedura e prokurimit, “Procedurë e hapur”, me objekt “Sistemim asfaltim, rruga e fshatrave Grazhdan, Pilafe, Majtare e Poshtme dhe Lagjes Aksion, Peshkopi”, me numer REF – 21545-07.19.2017, me fond limit 50,971,385 (pa TVSH), zhvilluar në datën 15.08.2017, nga autoriteti kontraktor Bashkia Dibër.

Më datë 15.08.2017, autoriteti kontraktor ka zhvilluar procedurën e prokurimit.

Më datë 23.08.2017, autoriteti kontraktor ka njoftuar operatorët ekonomikë pjesëmarrës, me anë të sistemit të prokurimeve elektronike (S.P.E), mbi rezultatet e vlerësimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ku rezulton si më poshtë, vijon:

  1. “Gjoka Konstruksion” sh.p.k 43,032,185 lekë, skualifikuar;

  2. “Euraldi” sh.p.k & “Curri” sh.p.k 45,929,826 lekë, skualifikuar;

  3. “Selami” sh.p.k 49,750,177 lekë, kualifikuar;

  4. “Vllaznia Ndërtim IS” sh.p.k & “Ndregjoni” sh.p.k 50,726,241 lekë, skualifkuar.

Komisioni i Prokurimit Publik,

i përbërë nga kryetari Evis Shurdha, zv/kryetari Leonard Gremshi dhe anëtarët Hektor Balluku, Kleves Janku dhe Odise Moçka

, vendosi të anullojë vendimin e KVO-së mbi skualifikimin e BOE “Euraldi” sh.p.k & “Curri” sh.p.k. dhe BOE “Vllaznia Ndërtim IS” sh.p.k & “Ndregjoni” sh.p.k dhe të korrigjojë shkeljet, duke i kualifkuar këta operatorë ekonomikë.

Baudin Rama, pronari i “Euraldi” sh.p.k & “Curri” sh.p.k, denoncon në emisionin “STOP” shkeljet që ka bërë Bashkia.

“Më datë 20 Korrik doli Prokurimi Publik, një tender rrugësh dhe sipas njoftimit të tenderimit publik, u futëm në tender dhe prisnim përgjigjen. Morëm vesh që ishim skualifikuar dhe më pas bëmë ankimimin të autoriteti kontraktor, i cili menjëherë na sjell përgjigjen që jemi skualifikuar dhe nuk marrim pjesë në vlerësim. Arsyet e skualifikimit janë kot, që nuk njiheshin nga ana teknike ligjore. Pasi na solli përgjigjen Bashkia e Peshkopisë, ne iu drejtuam Komisionit të Prokurimit Publik. Pasi shqyrtoi çështjen tonë, na dha të drejtën që ne ishim kualifikuar dhe i dha të drejtën Komisionit të Bashkisë që brenda 10 ditëve të bëjë vlerësimin e ofertave të firmave. Për çdo kundërshtim të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Firma, që i është dhënë objekti nga Bashkia, nuk u ankua te gjykata, por u ankua përsëri te Bashkia, gjë që është e jashtëligjshme. Bashkia e pranoi, ne na skualifikoi sërish dhe i dha sërish tenderimin firmës “Selami” sh.p.k.

Sot Bashkia ka lidhur kontratën me firmën “Selami” dhe ata presin të fillojnë punimet, duke mos marrë parasysh fare ankesat tona!”

Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua Bashkisë Peshkopi për të komunikuar me Gazmend Myftiun, personin që nuk ka lejuar rifutjen në garë të subjektit “Euraldi” sh.p.k & “Curri” sh.p.k.

Gazetari – Ky është vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik.

Gazmend Miftari -

Duhet të më kishte ardhur një kopje mua, e kësaj, apo jo?

Gazetari – Po, ka ardhur kopja.

Gazmend Miftari -

Po s’e kam unë këtë. Unë s’e kam këtë kopje.

Gazetari – Ti ke hartuar një shkresë... Më vjen keq, e ke firmosur. Komisioni i Prokurimit Publik vendosi që ky zotëria që ka marrë pjesë në tender, pasi është shqyrtuar, duhet të bëhet pjesë e garës së tenderit. Ky vendim i Komisionit të Prokurimit Publik mund të ankimohet vetëm në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, çka do të thotë se ju si institucion apo si individ nuk keni të drejtë të shkelni këtë vendim.

Gazmend Miftari -

Po mirë mo... s’është duke e shkelur njeri këtë vendim.

Gazetari – Jo, është shkelur ky vendim sepse ai është refuzuar.

Gazmend Miftari -

Po mirë mo, le të paditet ai. Le të paditet ai në gjykatë. Atëherë s’ka vlerë ai vendimi.

Gazetari – S’ka vlerë ky?

Gazmend Miftari -

Po!

Gazetari – Tenderi është dhe ai zotëria s’është. Është shpallur fituesi prapë.

Gazmend Miftari -

Po atëherë, le ta padisë mor, nuk është dakord me atë vendim, le ta padisë atje, ta shfuqizojë. S’ka punë zyra e pronave këtu, a kupton? Ky ka qenë një urdhër i Kryetarit të Bashkisë, për shqyrtimin e ankesës, e kërkesës, që ka bërë ai...

Gazetari – Keni shqyrtuar ankesën?

Gazmend Miftari -

Po pra, po ta thashë unë, pra.

Gazetari – E keni shqyrtuar ankesën, por është skualifikuar sërish ky zotëria. Shihe me kujdes se mbi këtë vendim nuk duhet të dalë askush, përveçse Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Sekretari i Përgjithshëm - Zyra juaj, sektori juaj, sikur s’ka të bëjë me tenderat?

Gazmend Miftari -

Jo, s’kemi lidhje me tenderat.

Gazetari – Po këtu ke hedhur firmën. Tani pyetja ime është, e di ku e hedh firmën apo ... ?

Gazmend Miftari –

Ta sjellim atë përgjegjësin e sektorit.

Gazetari i emisionit “STOP” shprehet se Gazmend Miftari habitet kur mëson se është pikërisht ai personi që ka shqyrtuar ankesën e dytë të skualifikimit të firmës “Euraldi” sh.p.k. Ai gjithashtu shton se bazuar në një shkresë tjetër të firmosur nga Gazmendi, firma nuk ngjason me atë të ankesës, por kjo mbetet për t’u verifikuar nga organet e hetimit.

Gazetari komunikoi gjithashtu me kryetarin e Njësisë së Prokurimit në Bashkinë Peshkopi, Fikret Koçin, në lidhje me shkeljen e vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik.

“KPP kërkesën tonë për rishqyrtim e ka refuzuar. Ne kemi bërë zbatimin e atij vendimi, anëtarët e KVO-së, duke bërë rivlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në procedurën e tenderit, procedurë kjo e hapur.”

I pyetur nga gazetari se pse duhet ta fitojë tenderin firma që ka ofruar më tepër para, kryetari Koçi thotë se fituesi vendoset nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, drejtuesit teknikë të shoqërisë nuk mund të jenë personat që janë të angazhuar në çdo punëmarrje tjetër publike, por Dilaver Idrizi dhe Fatos Mandri, që janë drejtuesit teknik të firmës fituese në tender, “Selami” sh.p.k, janë gjithashtu punonjës të Bashkisë Dibër.

“Unë jam vetë punonjës i Bashkisë dhe jam në pozicionin e kryetarit të Njësisë së Prokurimit. Kështu që për emra konkretë ose për persona që janë të punësuar ose jo, nuk kam nga ta marr informacionin.”

Por për sa i përket pyetjes së gazetarit, nëse këta persona kanë shkelur vendimin e VKM-së, kryetari i Njësisë së Prokurimit në Bashkinë Dibër preferoi të mos e kuptonte vazhdimisht pyetjen dhe më pas vendosi të përgjigjej, duke thënë se gjithçka duhet verifikuar më parë.

Por redaksia e emisionit “STOP” arriti të siguronte fakte që këta persona janë të punësuar pranë Bashkisë së Peshkopisë. Ndaj gazetari bisedoi me njërin prej tyre, Dilaver Idrizin.

“Ja të ta shpjegoj unë. Unë kam patur ofertë ose kërkesë nga kryetari i Bashkisë për të qenë në Njësi të Prokurimit ose në KVO. Mirëpo unë nuk kam pranuar të futem sepse kjo është arsyeja. Unë e kam emrin këtu dhe nuk futem dot sepse ka konflikt interesi.

Unë jam inxhinier topograf. Po të futem në Njësi të Prokurimit, ai merr pjesë në tender dhe do të thotë që unë automatikisht favorizoj firmën. Unë jam part – time aty te ai, kur ka punë shkoj, kur s’ka ...”/

tvklan.al

Të ngjashme
UKT