Shoferi nga Kosova rezident në Angli kapet me 191 km/h në Rrugën e Kombit

Fundjava ka shtuar lëvizjen e mjeteve në akset kombëtare, në veçanti në zonat bregdetare, ndaj sipas policisë janë shtuar dhe drejtuesit e mjeteve të cilët kanë kryer shkelje të kodit rrugor. Gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se dyfishi i normës së lejuar.

Sipas policisë së shtetit, janë ndëshkuar me masë administrative 2019 shoferë, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. Në Rrugën e Kombit, në drejtimin e lëvizjes Kukës-Rrëshen, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore është konstatuar me radar një shtetas kosovar rezident në Angli duke qarkulluar me një mjet “Jaguar”, me shpejtësi 191 km/orë. Ky drejtues u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj.

Shpejtësi të larta janë konstatuar nga shtetas të tjerë kosovarë, rezidentë në Zvicër, Angli e vende të BE-së, që qarkullonin me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar, në Bypass-in e Fierit dhe në Tiranë-Durrës-Kavajë.

Përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.   Gjithashtu bëhet e ditur se janë pezulluar 56 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 20 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.       

Klan News