Disa nga lojtarët e Shqipërisë, duken në formë të jashtëzakonshme para grumbullimit për dy ndeshjet e Qershorit, ndaj Serbisë dhe Letonisë.

Ylber Ramadani ishte vendimtar me një supergol te Lecce, në fitoren minimale ndaj Torinos.  Ai u shpall edhe lojtari i ndeshjes në fund të takimit. Ky rezultat mban gjallë shpresat e Lecce-s për mbijetesë, kur mbetet edhe një ndeshje nga fundi i sezonit.

Mirlind Daku ishte protagonist absolut te Rubin Kazan në Rusi. Sulmuesi i Kombëtares realizoi dy gola për ekipin e tij në humbjen 3-2 ndaj Khimki-t, ndërsa humbi edhe një penallti. Me këto realizime Daku arrin në kuotën e 14 golave dhe renditet i dyti në listën e golashënuesve të kampionatit rus.

Ernest Muçi la pas dëmtimin dhe u rikthye menjëherë vendimtar për Besiktas. I aktivizuar në pjesën e dytë, ai asistoi tek goli i barazimit 1-1 në fushën e Alanyasporit, duke i shërbyer saktë Rafa Silvës në minutën e 71-të.

Mario Mitaj kurorëzoi një sezon të shkëlqyer, pasi fitoi titullin kampion në Arabinë Saudite me Al Ittihad. Mbrojtësi ishte titullar në suksesin 3-1 në transfertë ndaj Al Raed në javën e fundit.

Këtë fundjavë ishin titullarë gjithashtu Ivan Balliu, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Qazim Laçi, Juljan Shehu dhe Myrto Uzuni.

/tvklan.al