Në këtë fund sezoni, disa nga legjionarët e Kombëtares shqiptare duket se po kalojnë formë të shkëlqyer.
Kristjan Asllani shënoi për të dytën ndeshje radhazi në Serinë A, me fanellën e Interit, këtë herë në fitoren 2-0 ndaj Torinos. Mesfushori kuqezi e nisi ndeshjen si titullar dhe shënoi golin e dytë të zikaltërve në minutën e 49-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Mirlind Daku u rikthye te goli në kampionatin rus, pas thuajse dy muajsh pritje. Sulmuesi i Kombëtares realizoi golin e fitores për Rubin Kazan ndaj Rostov në minutën e 91-të, për t’i dhënë tri pikët skuadrës së tij. Në fund të takimit, Daku u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Një formë shumë të mirë po kalon edhe Adrion Pajaziti në Kroaci. Mesfushori kuqezi shënoi për Gorica-n në sfidën ndaj Hajduk Split, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 48-të.
Megjithatë, kundërshtarët barazuan në minutën e 55-të dhe takimi u mbyll 1-1. Goli i shqiptarit kishte vlerë, sepse me këtë barazim, Gorica siguroi matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit kroat.
/tvklan.al