Kombëtarja shqiptare e vajzave regjistroi fitoren e parë në grup, në Ligën e Kombeve. Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima, shkatërroi Kroacinë me shifrat e thella 4-0 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Vajzat e nisën shumë mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh në minutën e 14-të me golin e Fortesa Berishës.

Shqipëria nuk e uli ritmin dhe në minutën e 24-të gjeti golin e dytë me Alma Hilajn, pas një asistimi nga Megi Doçi, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, skuadra jonë menaxhoi mirë lojën dhe vazhdoi të rrezikonte. Goli i tretë erdhi në minutën e 72-të, kur kapitenia Megi Doçi shënoi me një goditje të fuqishme nga jashtë zone.

Në fundin e ndeshjes, Shqipëria realizoi edhe golin e katërt me Klea Hamonikajn, e cila përfitoi nga një gabim i portieres kroate dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Shqipëria e vajzave do të zhvillojë ndeshjen e radhës në grupin B4 po ndaj Kroacisë, këtë herë në transfertë. Takimi do të luhet më 8 Prill, në “Sport Centre Rudes”, në orën 16:00. Në grup, Shqipëria renditet në vendin e tretë me 3 pikë të grumbulluara. /tvklan.al