Tre trupa të pajetë u gjetën në zonën e shkëmbinjve në Beachy Head, në Sussex-in lindor, të Britanisë së Madhe. Bashkë me ta, në vetëm dy javë numri i viktimave në këtë vend shkon në 10.

Sipas asaj që shkruan DailyMail, javën e shkuar autoritetet gjetën 7 persona në total, përfshirë një nënë dhe djalin e saj.

Policia e Sussex tha se 3 personat të seksit mashkull u gjetën rreth 152 metra poshtë, pranë Eastbourne, mëngjesin e së hënës.

Policia shkoi në vendngjarje pasi u njoftua për një person që kishte rënë nga Beachy Head. Roja bregdetare gjeti trupin e një burri rreth të 40-ve, në fund të shkëmbinjve.

Po në të njëjtën zonë u gjetën edhe dy trupat e tjerë, gjatë ditës.

Vdekja e tyre nuk po trajtohet si e dyshimtë nga policia dhe ata nuk besohet se kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Javën e shkuar, dy të rinj të moshës 20-vjeçare u gjetën në fund të shkëmbinjve. Edhe vdekjet e tyre nuk besohet se kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Në mesin e viktimave besohet se është edhe një turist që mund të ketë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar për t’i dhënë fund jetës në një prej shkëmbinjve më të famshëm në botë.

Po gjatë javës së shkuar, 42-vjeçarja Cheryl Tompsett dhe djali i saj 5-vjeçar Leo u gjetën të pajetë në fund të shkëmbinjve dhe dyshimet janë se gruaja ishte hedhur qëllimisht sëbashku me të birin.

Sa i përket viktimave të tjera, mbetet e paqartë nëse ata kanë rënë pasi kanë humbur ekuilibrin, janë hedhur nga dikush, apo qëllimisht.

Më shumë se 350 mijë persona vizitojnë shkëmbinjtë në Birling Gap dhe Seven Sisters çdo vit.

/tvklan.al