“Ende i pavërtetuar dhe i pasigurt për shëndetin”

Imunizimi i tufës, siç njihet ndryshe koncepti i forcimit të imunitetit në mënyrë natyrale përmes ekspozimit ndaj viruseve të ndryshme, është vetëm një mit. Në këtë përfundim arrin studimi më i fundit i universitetit të Nju Sauth Uellsit në Australi, ku thuhet se ky koncept rrezikon rikthimin e ritmeve të shpejta të përhapjes së Covid-19.

Shkencëtarët australianë thonë se nuk është vërtetuar ende që ekspozimi i vazhdueshëm ndaj një virusi si Covid-19 mund të nxisë mjaftueshëm reagimin e sistemit imunitar të njeriut, për të penguar infektimin.

Në studim paralajmërohet rreziku se heqja e masave të ashpra bllokuese që po mbajnë shumicën e popullsisë mbyllur në shtëpi për të shmangur infektimet përmes kontakteve me të tjerët, mund të shtojë në mënyrë masive të infektuarit dhe për pasojë edhe vdekjet nga koronavirus.

Kjo mund të shkaktojë një katastrofë globale të përmasave të mëdha. Heqja e masave bllokuese do të rrëzonte një herë e mirë sistemet shëndetësore të vendeve të ndryshme të botës, nga ato më të varfrat deri tek ato më të zhvilluarat siç janë vendet nordike apo Gjermania.

Sipas opinionit të shkencëtarëve australianë, duhet vazhduar me masa bllokuese derisa të përfundojnë studimet ndaj Covid-19 dhe të gjendet një vaksinë efektive kundër këtij virusi.

Tv Klan