Shkencëtarët paralajmërojnë se jemi më pranë apokalipsit se kurrë, e për këtë një ndihmesë të madhe po jep edhe Donald Trump, me postimet e tij në Twitter.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, ora e Fundit të Botës tashmë është 2 minuta nga mesnata. Kjo ka qenë kaq e rrezikshme vetëm gjatë kohës së krizës së thellë të periudhës bërthamore (1945).

Ndryshimi i kësaj ore erdhi sëbashku me një paralajmërim nga shumë prej shkencëtarëve më me emër në botë: Nëse politikanët nuk bëjnë sa duhet për ta mbajtur botën të sigurtë, ata duhet të ngrihen dhe ta bëjnë këtë me forcë.

Tani besohet se bota po rrezikohet për shkak të administratës amerikane, e cila e ka të vështirë të formulojë politikën bërthamore. Kjo vjen kryesisht për shkak të zakonit të presidentit amerikan, për të postuar mesazhe nxitëse në Twitter, në drejtim të armiqve, përfshirë Korenë e Veriut.

Shkencëtarët e vunë veçanërisht theksin tek negociatat mes SHBA dhe Rusisë e Iranit. Sipas tyre, bisedimet për kontrollin e armëve kanë dështuar nga të gjitha palët dhe sugjeruan se bota është afruar në mënyrë të rrezikshme drejt një konflikti të armëve bërthamore.

Megjithatë, sipas ekspertëve të Buletinit të Shkencëtarëve Bërthamorë, ekziston mundësia që ky rrezik të shuhet. Zhvendosja e orës së Fundit të Botës drejt mesnatës ishte një mënyrë për të ndërgjegjësuar njerëzimin për rrezikun, por në të njëjtën kohë edhe një thirrje për t’u zbrapsur, diçka që mund të realizohet duke vënë nën kontroll armët dhe duke iu përgjigjur kërcënimit nga ndryshimet klimatike.

Hera e fundit që bota ishte kaq shumë e rrezikuar, shkruan më tej “The Independent”, ishte vitit 1953, kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik hodhën bombat e tyre me hidrogjen.

Deri më sot, ora qëndronte 2 minuta e gjysmë nga mesnata. Edhe kjo shënoi orën më të rrezikshme që bota kishte parë që prej kohës kur kjo përllogaritje nisi të bëhej, në 1940-n.

*Ora e Fundit të Botës është një simbol që përfaqëson mundësinë e një katastrofe globale të shkaktuar nga dora e njeriut. Ajo përllogaritet dhe mbahet nën mbikëqyrjen e anëtarëve të Buletinit të Shkencëtarëve Bërthamorë. Ora përfaqëson një analogji për rrezikun e luftës globale bërthamore./tvklan.al