Shkencëtarët, në ndjekje të varianteve të reja të Covid-19



Shkencëtarët, në ndjekje të varianteve të reja të Covid-19

22:20 09/05/2021

Një numër i vogël njerëzish preken me COVID-19 pasi janë vaksinuar.

“Asgjë nuk është 100% e sigurtë në këtë botë”, thotë Gigi Gronvall, një studiuese në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.

Ndërsa variante të reja shfaqen në të gjithë botën, shkencëtarët thonë se është e rëndësishme të vëzhgohen nga afër këto raste të rralla. Ato mund të jenë shenja të diçkaje më serioze.

“Është e mundur që të shfaqen më shumë variante të reja nga të cilat nuk të mbrojnë dot vaksinat” tha zonja Gronvall. “Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që këto raste të hetohen.”

Nga 95 milionë njerëz të vaksinuar plotësisht deri më 26 prill, u raportuan 9,245 infeksione me COVID-19. Kjo përbën më pak se një të qindën e përqindjes, megjithëse CDC-ja thotë se kjo shifër mund të jetë më e lartë.

“Jo çdo individ që merr vaksinën reagon ndaj virusit”, tha Jacques Ravel, nëndrejtor në Institutin e Shkencave të Gjenomit në Universitetin e Merilendit. “Nuk jemi 100 për qind të sigurt se edhe pse këta njerëz janë vaksinuar, sistemi i tyre imunitar nuk ka reaguar në shkallën e duhur”.

Për të dalluar ndryshimin mes një përgjigje të dobët të sistemit imunitar dhe shfaqjes së një varianti të ri të virusit, shkencëtarët duhet të deshifrojnë kodin gjenetik, ose sekuencën e virusit që shkakton infeksionin tek pacienti i vaksinuar.

Universiteti i Merilendit është pjesë e një rrjeti mbarëkombëtar institucionesh që studion sekuencat e varianteve të COVID-19. Zoti Ravel tha se instituti i tij nuk ka parë ndonjë përsëritje të të njëjtës sekuencë tek viruset që kanë infektuar pacientët e vaksinuar. Kjo, tha ai, tregon se ka më shumë gjasa që “njerëzit që nuk iu përgjigjën pozitivisht vaksinës janë infektuar sepse nuk janë mbrojtur”.

Nëse, nga ana tjetër, ” fillojmë të shohim të njëjtën sekuencë tek grupi i vaksinuar, atëherë do të fillojmë të shqetësohemi,” tha ai.

Deri tani, vaksinat në përgjithësi po funksionojnë jashtëzakonisht mirë, madje edhe kundër varianteve të reja. Të dhënat e fundit nga Izraeli, ku varianti i parë i identifikuar në Britani është mbizotërues, tregojnë se vaksina Pfizer-BioNTech ishte 95% efektive. Varianti i Mbretërisë së Bashkuar përhapet më lehtë dhe mund të jetë më vdekjeprurës se virusi fillestar.

Por ka disa shenja paralajmëruese. Në një studim në Katar, ku varianti që u shfaq në Afrikën e Jugut përbën gjysmën e rasteve, vaksina Pfizer-BioNTech ishte vetëm 75% efektive. Ky variant ka provuar gjithashtu se është më i aftë të depërtojë edhe individët e imunizuar me vaksinat e tjera.

Megjithatë, vaksinat të mbrojnë nga rastet më të rënda. Vaksina Pfizer-BioNTech ishte më shumë se 97% efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes në një studim të Katarit.

Në një lajm tjetër të mirë, shumë nga variantet më shqetësuese ndajnë të njëjtat mutacione, edhe kur ato shfaqen në kontinente të ndryshme. Kjo mund të nënkuptojë që virusi mund të tjetërsohet në një numër të kufizuar./VOA










Të ngjashme