Shkencëtarët: Paniku nga cigaret elektronike po shkatërron “mundësinë më të madhe të shëndetit publik” në 120 vite

Posta

Shkencëtarët: Paniku nga cigaret elektronike po shkatërron “mundësinë më të madhe të shëndetit publik” në 120 vite

16:44 27/09/2019

Studiuesit janë duke punuar shumë për të përcaktuar shkakun e më shumë se 500 rasteve të sëmundjes së mushkërive që ka prekur përdoruesit e cigareve elektronike. Nëntë prej tyre kanë humbur jetën, duke u bërë shkak për hapjen e një hetim penal nga FDA.

Agjencia e Shëndetit Publik në Angli i përshkruan cigaret elektronike si “të paktën 95% më pak të dëmshme” sesa cigaret e tradicionale.

Dr. David Abrams, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, tha se është i shqetësuar se paniku mbi sëmundjet e lidhura me cigaren elektronike do të pengojë përfitimet shëndetësore publike që ata mund të ofrojnë.

“Unë mendoj se kemi harruar që 120 vjet më parë, ishte makina e dredhjes së cigareve që shkaktoi këtë epidemi të kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve të tjera. Dhe tani kemi një mundësi 120 vjet më vonë për të shmangur cigaret me një teknologji të re që çliron nikotinë në një mënyrë shumë të kënaqshme pa dëmet kryesore të duhanit që digjet”, tha ai. “Nëse e humbasim këtë mundësi, unë mendoj se do të kemi hedhur në erë mundësinë e vetme më të madhe të shëndetit publik që kemi pasur ndonjëherë në 120 vjet për të hequr dorë nga cigaret dhe për t’i zëvendësuar ato me një formë shumë më të sigurt të nikotinës për të gjithë.”

Abrams, megjithatë, nuk beson se shpërthimi i papritur i sëmundjeve duhet të ndalojë të rriturit nga vaping. “Unë mendoj se të gjitha provat që kemi parë nga FDA dhe raportet e CDC janë se këto raste vijnë nga njerëz që blenë vajra marijuane të prodhuara në rrugë, në mënyrë të paligjshme ose në një lloj versioni drogash”, tha ai.

“Ne nuk kemi parë një rast të vetëm që një cigare elektronike e ligjshme të ketë shkaktuar ndonjë nga këto sëmundje,” shtoi Abrams. “Dua t’u them duhanpirësve që nuk duhet të tremben nga ato që po shohin dhe se cigaret elektronike duhet të përdoren në vend të cigareve nëse ata tashmë ja kanë dalë të bëjnë kalimin nga duhanpirja tradicionale”.

Një nga videot më të diskutuara në internet për pro-vaping është një eksperiment që krahason efektet e cigareve tradicionale dhe cigareve elektronike në mushkëri, të nxjerra nga Agjencia e Shëndetit Publik në Angli, ku Dr. Lion Shahab, profesor i asociuar në University College Londër thotë se “Hulumtimi im tregon se cigaret elektronike janë dukshëm më pak të dëmshme sesa cigaret”.

Për të analizuar më nga afër këtë eksperiment, emisioni i përditshëm amerikan “CBS-This Morning” u kërkoi kolegëve të Abrams në shkollën e mjekësisë të rikrijonin eksperimentin e sugjeruar nga Agjencia e Shëndetit Publik.

Për rreth dy orë, ekipi i NYU simuloi pirjen e katër paketave cigare, dhe e krahasoi atë me të njëjtën sasi të cigareve elektronike. Dallimet ishin të qarta: Dëmet e shkaktuara nga tymi i cigares ishin të dukshme; avujt nga cigaret elektronike me aromë kafeje, jo dhe aq shumë.

“Kjo do të duket shumë e shpifur”, tha profesori i Shkollës së Mjekësisë në NYU Terry Gordon. “Ju do të shihni shumë ngjyra kafe dhe të errëta, dhe ky simulim tregon atë që shkon në mushkëritë e njerëzve”.

Ai gjithashtu mendon se vlerësimi i Agjencisë së Shëndetit Publik të Anglisë ku i përshkruan cigaret elektronike si “të paktën 95% më pak të dëmshme” sesa cigaret e tradicionale, është “mjaft i saktë”. “Cigaret elektronike janë më të sigurta se cigaret tradicionale“, tha Terry Gordon.


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi