“Korona nuk mund të kontrollohet në grupe, s’ka imunitet pa vaksinë”

Imuniteti i tufës  për shumë kohë do të jetë i pamundur. Kështu thuhet në një studim të fundit të bërë në Spanjë, i cili tregon se vetëm 5% e popullatës kanë krijuar antitrupa ndaj koronavirusit.

Studimi i botuar në revistën shkencore Lancet sqaron se 95% e popullatës spanjolle mbetet e ekspozuar ndaj virusit. Ekspertët dhe shkencëtarët, të cilët kanë marrë pjesë në të shprehen se imuniteti i grupeve do të arrihet vetëm kur popullata të jetë e vaksinuar.

Në këtë studim kanë marrë pjesë mbi 61,000 pjesëmarrës dhe rezulton të jetë një ndër studimet më të mëdha, të kryera deri më tani për Covid-19.

Drejtuesja e këtij studimi Marina Pollán, e cila është drejtore e Qendrës Kombëtare për Epidemiologjinë shprehet se për ta realizuar imunitetin e tufës nevojitet që sëmundja të përhapet të paktën në 60% të popullatës, por shifra aktuale në Spanjë është 12-fish më e vogël pas kaq muajsh. Pollan shprehet se distancimi fizik dhe karantinimi mbeten aktualisht armët më të mira kundër pandemisë së koronavirusit.

Sipas Lancet mjekët janë të pasigurt pasi ende nuk ka një gjë që vërteton se prania e antitrupave të koronavirusit do të thotë që të tjerët të  mos infektohen. Po ashtu mbetet e paqartë edhe se cila është mënyra që këta antitrupa mbrojnë njerëzit.

Ky studim nisi që në Prill në Spanjë pikërisht në atë kohë kur Covid-19 solli shumë vdekje dhe infektime e kur i gjithë vendi ishte nën masa të rrepta.

Më herët ishte Suedia ku ekspertët e shëndetësisë deklaruan se imuniteti i tufës ishte mjaft i lehtë për t’u arritur, por kjo nuk ndodhi pasi atë e arritën vetëm 7.3 % të popullsisë.

Klan Plus