Së fundmi një studim ka zbuluar se vaksina e prodhuar në vitin 1924 që lufton tuberkulozin, mund të ofrojë mbrojtje kundër Covid-19 dhe të zvogëlojë numrin e vdekjeve.

Shkencëtarët kanë studiuar disa vende që e kanë përdorur në masë të madhe këtë vaksinë si dhe vende që nuk e kanë përdorur dhe dolën në përfundimin se në vendet me një prevalencë prej 10 përqind më të madhe të vaksinës Bacillus Calmette-Guerin (BCG) kishte një ulje prej 10.4 përqind të vdekshmërisë nga Covid-19.

Ky studim i kryer nga shkencëtarët e Institutit Politeknik të Virxhinias, Universitetit Shtetëror dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, është rishikuar dhe publikuar në revistën PNAS.

Shkencëtarët janë shprehur se ky studim epidemiologjik vlerësoi lidhjen globale midis vaksinës Bacillus Calmette-Guerin dhe vdekshmërisë COVID-19.

Vaksina BCG u shpik një shekull më parë dhe lufton tuberkulozin (TB), një infeksion bakterial, por dihet që ka edhe përfitime të tjera.

Studimet e mëparshme kanë zbuluar se njerëz që kanë bërë këtë vaksinë e cila kushton 30 paund, kanë sisteme të përmirësuara imune dhe janë në gjendje të mbrohen nga infeksioni. Ata persona që e kanë marrë këtë vaksinë që në fëmijëri, mbrohen deri në 60 vjet pas vaksimimit.

BCG është përdorur për më shumë se 90 vjet, por saktësisht se si funksionon akoma mbetet një mister. Edhe mënyra si e lufton Covid-19 është një enigmë e madhe.

Mendohet se vaksina e cila përmban një bakter të quajtur Mycobacterium, rrit sistemin imunitar, duke luftuar çdo virus.

Po bëhen disa studime në Holandë dhe Aurstrali për lidhjen mes vaksinës së tuberkulozit dhe Covid-19, por derisa këto rezultate të jenë në dispozicion, studiuesit thonë se imuniteti që krijohet nga kjo vaksinë mund të ndihmojë në luftimin e pandemisë.

“Vaksina BCG mund të jetë e dobishme për individët me rrezik të lartë, të tillë si punonjësit e shëndetit, oficerët e policisë, ose ata që janë mbipeshë, vuajnë nga diabeti ose sëmundjet kardiovaskulare”, thonë studiuesit./tvklan.al