Një tërmet me magnitudë 7.2 lëkundi shtëpinë e Rosario García González në Baja California një pasdite pranvere në 2010-n. González, një i moshuar nga komuniteti indigjen Cucapah, më vonë i tregoi shkencëtarëve se çfarë kishte parë. Teksa tërmeti çau sipërfaqen e tokës, lart doli një re pluhuri, si një makinë që ecën me shpejtësi në një rrugë të pashtruar. Por makina, duket se po shkonte në drejtim të gabuar.

Tërmetet zakonisht e çajnë sipërfaqen teksa udhëtojnë në një drejtim të vetëm. Por sipas González, reja e pluhurit po kthehej prapa aty ku ishte origjina e lëkundjes, ekzaktësisht drejtimi i kundër që shkencëtarët prisnin.

Rrëfimi i këtij dëshmitari për një tërmet që kthehej mbrapsht i bëri shkencëtarët shumë kureshtarë. Orlando Teran, i cili në atë kohë po punonte për Ph.D e tij në Ensenada Center for Scientific Research and Higher Education, e quajti përshkrimin “spektakolar”. Por se çfarë kishte ndodhur atë ditë ekzaktësisht, mbeti e pakonfirmuar, sepse të dhënat sizmike nuk mund të vërtetonin atë çfarë González kishte parë.

Tani, një grup ndërkombëtar shkencëtarësh kanë mundur që të kapin një prej këtyre tërmeteve “bumerang” në detaje, duke dokumentuar lëkundjen që shkon me shpejtësi në një drejtim dhe më pas kthehet mbrapsht nga e njëjta rrugë.

Ky tërmet me magnitudë 7.1 nisi në thellësi të Atlantikut, pak më shumë se 1 mijë kilometra nga brigjet e Libisë, në Afrikën Perëndimore. Eci në drejtim të lindjes më pas u kthye mbrapsht me një shpejtësi kaq të madhe sa shkaktoi versionin gjeologjik të një bumi sonik.

Egërsia e lëkundjeve të një tërmeti, zakonisht fokusohet në drejtimin në të cilin vala po udhëton. Por një tërmet bumerang mund të shpërndajë lëkundje të forta në një zonë shumë më të gjerë. Mbetet e paqartë sa të zakonshëm janë këto lloje tërmetesh dhe sa shumë lëvizin me një shpejtësi kaq të madhe.

Por studimi i ri i publikuar të hënën në revistën shkencore Nature Geoscience, është një hap i madh për të zbërthyer fizikën komplekse që fshihet pas këtyre eventeve dhe për të kuptuar potencialin e tyre shkatërrues.

“Studime të tilla na ndihmojnë të kuptojmë sjelljen e tërmeteve në të shkuarën, sesi mund të jenë në të ardhmen dhe si kjo lidhet me impaktin potencial në zonat e banuara“, thotë sizmiologia Kasey Aderhold për National Geographic.

Bumerangu i fundit u regjistrua në afërsi të mesit të Atlantikut, aty ku pllakat tektonike amerikanojugore dhe afrikane ndahen nga njëra tjetra. Në Pranverën e 2016-s, shkencëtarët vendosën 39 sizmometra pranë këtij vendi për të mbledhur të dhënat e lëkundjeve të tërmeteve të largëta, në përpjekje për të vizualizuar bazën e pllakave tektonike.

Disa muaj më vonë ndodhi tërmeti me magnitudë 7.1. Flota e sizmometrave regjistroi çdo seri të lëkundjeve, përfshirë edhe ato që dukeshin si një çift pulsimesh.

Kureshtarë për çfarë kishin kapur, shkencëtarët vendosën ta shihnin më nga afër, duke identifikuar atë që dukej si një tërmet me dy faza. Duke ekzaminuar pozicionin e epiqendrës dhe energjisë së çliruar nga çdo lëkundje, grupi i punës konkludoi: Tërmeti ishte drejtuar fillimisht për nga lindja dhe më pas u kthyer mbrapsht në drejtim të perëndimit. “Ishte një konfiguracion i çuditshëm për t’u parë”, tha Stephen Hicks, sizmiolog në Imperial College London dhe autori i parë i studimit të ri.

Pavarësisht kësaj, ekspertët nuk ishin ende të qartë që tërmeti kishte qenë bumerang. Ndaj Hicks kërkoi ndihmën e Ryo Okuwaki nga Universiteti i Tsukuba në Japoni. Në pak ditë, analizat e ekspertëve arriti në përgjigjen se tërmeti me gjasë kishte qenë bumerang.

Simulimi i mëtejshëm kompjuterik sugjeronte se tërmeti mund të kishte nisur në thellësi nëntokë, në drejtim të lindjes derisa arriti në mes të oqeanit. Aty u kthye mbrapsht. Këtë herë me një shpejtësi befasuese. Tërmeti e çau sipërfaqen me një shpejtësi 17 702 kilometra në orë. Kjo është kaq e shpejtë sa valët sizmike mbivendosen duke krijuar të njëjtin presion që shkakton një avion që fluturon me shpejtësi supersonike.

Konet e përqendruara të valëve formojnë një tërmet që mund të amplifikojë fuqinë shkatërruese të tij.

Të kuptuarit kur dhe përse ndodhin këto evente bumerang është jetësore për të kuptuar rrezikun që paraqesin tërmetet. Ekspertët thonë se teksa një lëkundje normale besohet se ndodh në një drejtim, një bumerang mund t’i fokusojë lëkundjet në dy zona të kundërta. Dhe nëse do të ishin super të shpejtë, lëkundja do të ishte shumë më e fortë.

Por sa shpesh ndodh kjo?

Nga observimi i grupit të punës në Atlantik këto lloje tërmetesh janë të rrallë. “Të paktën për aq sa unë kam dijeni, kjo është hera e parë që raportohet”, thotë gjeofizikanti Yoshihiro Kaneko nga GNS Science në Zelandën e Re.

Megjithatë dëshmi të tjera të tërmeteve bumerang duket se po dalin në pah. Këto evente po studiohen me anë të modeleve kompjuterike, ashtu sikurse edhe po simulohen në laboratorë shkencorë.

“Në teori është aty, por është mjaft e vështirë për ta parë në botën reale”, shprehen ekspertët.

Disa shkencëtarë aludojnë se tërmeti në Tohoku me magnitudë 9, që goditi Japoninë në 2011-n, më i forti në historinë e këtij vendi, mund të ketë pasur një sasi lëkundjesh bumerang. Edhe tërmeti i 2016-s, që lëkundi Kumamoton dyshohet të ketë pasur një proces të ngjashëm. Në këtë rast, lëkundja fillestare shkaktoi 2 tërmete të tjera, një prej të cilëve u kthye mbrapsht, duke u mbivendosur pjesërisht me krisjen e parë.

“Mund të jetë në fakt diçka më e zakonshme nga sa e mendojmë”, thotë Kaneko. Problemi qëndron që këto bumerangë mund të kalojnë pa u dalluar për shkak të metodave të zakonshme që përdoren për të analizuar tërmetet, që bazohen në faktin se një lëkundje rend në një drejtim.

“Sigurisht ne nuk po kërkojmë për të, sepse nuk presim që të ekzistojë”, thonë më tej ekspertët.

Tvklan.al

Burimi: National Geographic