Në një lidhje direkte me Skype në emisionin Rudina në Tv Klan, ka qenë Fatjona Lubonja, vajza që është bërë e njohur nga i gjithë publiku shqiptar për pjesëmarrjen e saj në videoklipin “Makina e Memories” e kënduar nga Ardit Gjebrea. Ajo tregon se ishte një eksperiencë shumë e këndshme dhe që ka ngelur në memorien e saj.

Rudina Magjistari: Ti je fiksuar nga i gjithë publiku me atë këngë dhe prisnim të të shihnim më pas, por ti u zhduke sepse në fakt ke shkuar në SHBA dhe ne nuk e kishim këtë informacion. Si e kujton atë kohë, ai videoklip që ishte shumë i bukur për kohën apo jo?

Fatjona Lubonja: I gjithë xhirimi ishte një eksperiencë shumë e këndshme, ajo ishte një ditë vere dhe ne kishim mundësi të udhëtonim për në Jug. Në ato momente plazhet ishin të pahapura, qyteti i Vlorës na priti jashtëzakonisht shumë mirë, domethënë vlonjatët e morën përsipër. Kur xhiroja me Bozon, në fakt unë nuk e dija që më xhironte, pra më xhironte pa mendje. Për shembull unë bëja një bisedë më Arditin që ka qenë dhe është një njeri i mrekullueshëm akoma, ne hidheshim në det, por nuk e dinim që po xhiroheshim dhe në fund vetëm kur shikojmë videon bashkë. Ishte një gjë shumë e bukur.

Rudina Magjistari: Ti ishe një vajzë shumë e bukur, re shumë në sy në atë kohë, por më pas u zhduke menjëherë dhe more një rrugëtim krejtësisht tjetër që nuk kishte lidhje me televizionin. Nuk të tundoi kjo gjë ndonjëherë që të vazhdoje në ShBA një karrierë prej aktoreje?

Fatjona Lubonja: Jo, pavarësisht se është një art shumë i bukur, nuk e ndjej se është për mua. Më pëlqen privatësia ime pavarësisht se unë me atë video isha në çdo familje shqiptare. Ndonjëherë është dhe gjë e mirë sepse krijon memorie dhe kujtime për atë kohë. Jam shumë e lumtur që më ka ecur në këtë mënyrë në SHBA, është një punë shumë e madhe dhe jam krenare për këtë që kam bërë. /tvklan.al