Këto janë pamjet që vijnë nga fshati Çeprat i Vlorës. Një shkëndijë elektrike dyshohet se u bë shkak për rënien e një zjarri, që ka djegur deri më tani disa hektarë me ullinj e pemëtari. Në një prononcim për Klan News, banorët shprehen të shqetësuar pasi flakët i rrezikojnë edhe shtëpitë.

“Ra një shkëndijë dhe mori flakë atje dhe u shpërnda. Janë djegur komplet ullinjtë. Çdo gjë rrezikohet, edhe shtëpitë”, thotë një banor.

“Rrezikojnë edhe shtëpitë, me ardhur flakët këtej u shuam të gjithë ne siç jemi”, shton një banore.

Mësohet se për shkak të terrenit, ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë e vështirë. Edhe numri i efektivëve në gatishmëri është i vogël për shkak se disa janë angazhuar për shuarjen e flakëve në Risili dhe në fushën e mbetjeve.

Për momentin që flasim ky zjarr ka nisur prej disa orësh. Është shumë i vështirë për ta vënë nën kontroll sepse era e fortë bën që flakët të shpërndahen me shpejtësi. Zjarri po djeg vreshta, ullinj, pemë frutore dhe çdo gjë që gjen përpara. Rrezikohen banesa, rrezikohet çdo gjë”, thotë një zjarrfikës./tvklan.al