Shkëndija festoi titullin e katërt kampion



Shkëndija festoi titullin e katërt kampion

23:05 17/05/2021

Tre ekipe shqiptare në garat evropiane

Me ndeshjet e xhiros së 33-të të Kampionatit u rrumbullakua edhe një sezon në Ligën e parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Me plot meritë kampion i ri është Shkëndija e Tetovës, skuadër kjo që tregoi më së shumti gjatë gjithë kampionatit.

Tetovarët dinë si t`u gëzohen fitoreve sportive. Titulli i katërt kampion u kremtua edhe në stadiumin e qytetit në Tetovë. Kreu i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, shprehet i kënaqur me mbarëvajtjen e kampionatit, përkundër pandemisë.

“Duke patur parasysh pandeminë që patëm jo vetëm në Maqedoni, por në gjithë botën mendoj që të gjitha ndeshjet që u organizuan  edhe nga ana e Federatës, por nuk duhet lënë anash edhe nga ana e klubeve. Mendoj që ne e organizuam dhe përfundoi me sukses”, tha Muhamed Sejdini.

I pranishëm në këtë festë të futbollit shqiptar në Tetovë ishte edhe kreu i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka.

“Akoma më i kënaqur që një klub shqiptar për herë të katërt shpallet kampion me meritë, gjë që tregon se puna gjithmonë shpërblehet”, tha ai.

Për Trajnerin e “kuqezinjve” është ky trofeu i pestë në karrierë, mbase edhe më i rëndësishmi.

“Është kënaqësi ta fitojmë sepse se po e fitojmë prapë në tokë shqiptare. Po e fitojmë prapë së bashku gjithë sepse jemi shqiptar dhe është kënaqësia ime. Ky është trofeu im i pestë”, tha Ernest Gjoka.

Kapiteni i skuadrës, Egzon Bejtullai, titullin ua kushtoi pronarit të klubit dhe armatës së tifozëve “kuq e zi”.

“Për mua do të thotë se sa më shumë trofe aq më shumë më gëzojnë. Dhe do luftojë deri në momentin e fundit që ti kem sa më shumë trofe  dhe më shumë suksese në karrierën time”, u shpreh ai.

Për pronarin e klubit, Lazim Destanin, e pashmangshme ishte pyetja rreth ndërtimit të stadiumit të ri në Tetovë.

“Unë më shumë se ju pres.  Ajo është në afër. Disa  elemente  veç kanë munguar edhe shpresoj të rregullohen sa më shpejt”, theksoi ai.

Ndryshe, në ndeshjen e fundit me Shkupin në Tetovë, tifozët më të flaktë të Shkëndisë “Ballistët” hynë në stadium për të kremtuar titullin edhe pse sipas protokolleve shëndetësore një gjë e tillë nuk është lejuar. Ndeshja u ndërpre për disa minuta, kurse nga MPB-ja kanë paralajmëruar kallëzime penale.

Nëpër rrjetet sociale dhe media të ndryshme, kryesisht maqedonase, janë shfaqur pakënaqësi dhe reagime të ashpra, siç thuhet, për shkak të përfshirjes të politikës në futboll duke aluduar në prezencën e funksionarëve të lartë të BDI-së gjatë kremtimit të titullit të Kampionit të Shkëndisë.

Kampionati i sivjetshëm në Ligën e parë të Futbollit, prodhoi tre skuadra shqiptare që do të garojnë në ligat evropiane. Përveç Kampionit Shkëndija, në garat evropiane do të jenë edhe Shkupi dhe Struga Trim Lum.

Në këtë edicion, nga kategoria e parë bien Bellasica dhe Vardari, kurse anëtarë të Ligës së Parë janë skuadrat, Skopje dhe Bregallnica e Shtipit.

Tv Klan







Të ngjashme