Ernest Gjoka nuk do jetë më trajner i Shkëndijës së Tetovës. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit të Maqedonisë së Veriut, që largon kështu teknikun tiranas, pasi palët ranë dakord për të prishur me marrëveshje kontratën.

“Shkëndija me këtë rast falenderon Ernest Gjokën dhe ndihmësin e tij, Fatjon Tafaj, për kontributin e dhënë në periudhën që ishin pjesë e kuqezinjve, duke drejtuar skuadrën drejt titullit kampion i vendit në sezonin garues 2020/2021. Ditëve në vazhdim klubi do të vendosë për trajnerin e ri, të cilit do t’i besohet pankina për sezonin 2021/2022”, shkruhet ndër të tjera në njoftim.

Paraqitja e Shkëndijës në raundin e parë të Champions League dhe në raundit e dytë të Conference League la për të dëshiruar. Kuqezinjtë tetovare në kompeticionin më të rëndësishëm për klube nuk bënë maksimumin ndaj Mura së Sllovenisë dhe letonezëve të Riga. Në total 9 gola të pësuar dhe asnjë i shënuar, statistika që detyruan palët të prishnin vijimin e bashkëpunimit.

Klan News