Toçe: Modeli që ofrojnë rrjetet sociale, i rrezikshëm

Kjo tufe me lule shënjon mungesën dhe dhimbjen që ka mbërthyer shkollën  “At Gjon Karma” në Gurin e Zi, në Shkodër.  

Lajmi tragjik se Naseri 10-vjeçar humbi aksidentalisht jetën 2 ditë më parë teksa xhironte një video për rrjetin social Tik Tok shokoi të madh e të vogël.

Mësuesja kujdestare dhe punonjësja sociale e shkollës tregojnë se Naseri ishte një nxënës i rregullt.

“Mund ta përshkruaj si një nxënës të mirë me arritje të mira. Nuk kam fjalë ta përshkruaj rastin që na ka ndodhur”, tha mësuesja.

Shokues ishte ky lajm edhe për psikologen Denada Toçe, e cila nuk e fsheh revoltën për modelin e rrezikshëm që ofrojnë rrjetet sociale, kryesisht tek të rinjtë.

Sipas saj jo vetëm prindërit duhet të rrisin vigjilencën tek aksesi i fëmijëve, por edhe shteti duhet të ndërmarra masa për këto platforma sociale.

 “Kur ti fillon dhe sfidon rrezikun e jetës tënde që të bëhesh interesant për të marrë disa pëlqime kjo e vendos seriozisht në rrezik jo vetëm individin, por edhe këto platforma, që për mua Shqipëria duhet të marrë një vendim dhe t’i heqë pasi ne kemi një shoqëri shumë vulnerabël. E dyta edhe kontrolli prindëror që është shumë i rëndësishëm”, tha Toçe.

Një studim i vitit 2018 që bazohej në lajmet e publikuara në media tregoi se kishte 259 vdekje nga 137 incidente të raportuara gjatë bërjes së selfie-ve përgjatë periudhës Tetor 2011-Nëntor 2017.

Tv Klan