Vetëm pak orë pas plagosjes së 3-fishtë në qendër të Shkodrës u arrestua në Mal të Zi autori i saj.

Ai është Aurel Ahi, i cili u ndalua në fshatin Krajë të vendit fqinj nga policia vendase.

25-vjeçari kishte kaluar në këmbë kufirin mes dy vendeve. Kanë qenë banorët e fshatit ata që lajmëruan policinë pasi i riu kishte sjellje të çuditshme dhe në rroba kishte njolla gjaku.

Ngjarja ndodhi në mesditë në një nga zonat më të populluara të Shkodrës në afërsi të teatrit “Migjeni”.

Objektiv i atentatit duket se ka qenë 32-vjecari Dionis Lisi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital, por të qëndrueshme. Plumbat kanë plagosur gabimisht 25-vjeçaren Elona Qyrku dhe Enrik Prenushin 59-vjeç, kalimtarë të rastit. Ata janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës.  

Autori i krimit u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ai hodhi pistoletën në një kosh mbeturinash e cila u gjet më pas nga policia. 25-vjeçari braktisi makinën në afërsi të Shirokës dhe më pas iu drejtua në këmbë kufirit me Malin e Zi.

Motivi i krimit mbetet ende i paqartë, pritet të zbardhet pas marrjes së dëshmive të objektivit dhe autorit të krimit.

/Tv Klan