Shumë qytetarë nga Shkodra janë ankuar në emisionin “Stop”, se brenda ambienteve të shkollës së muzikës “Preng Jakova”, ka një fast food jashtë çdo kriteri higjeno-sanitar. Nëndrejtoresha e shkollës Lindita Cungu,thotë, se ky është një shqetësim, për të cilin është vënë në dijeni DAR-i Shkodër dhe bashkia e qytetit.

Lindita Cungu: Drejtoria e shkollës është ankuar për këtë pjesën këtu në bashki, ajo ka diskutuar me personin që ka ndërtesën private. Duhet të diskutoni vetëm me bashkinë sepse ajo ka pjesën e vet. Ankesa nuk kena në drejtorinë e shkollës. Stafi jonë e ka vënë në dijeni bashkinë, por nuk e di si është bërë në mënyrë verbale apo zyrtare.

Gazetarja e emisionit “Stop” kontaktoi me zyrtarët e DAR-Shkodër, por askush nuk pranoi të kishte dijeni për fast food-in në shkollë.

Punonjësja e DAR:

Unë personalisht nuk jam në dijeni. Por ne e kemi të ndërprerë që nuk lejohet të shiten ushqime në ambientet e shkollës. Unë nuk e di për çfarë flitet, por për çdo kërkesës drejtohuni me shkrim tek sekretaria.

Anton Hasanpapaj, kreu i Policisë Bashkiake, thotë, se nuk ka patur ankesë të drejtpërdrejtë. Bashkia sipas tij, nuk jep leje për këtë biznes. Në QKR biznesi në fjalë rezulton aktiv.

Anton Hasanpapaj:

Për rastin në fjalë nuk është se kemi patur një ankesë konkrete nga drejtoria e shkollës apo institucionet e tjera për ti mbështetur në këtë rast. Nuk ka leje të bashkisë për ushtrimin e aktivitetit brenda ambienteve të shkollës. Bashkitë, jo vetëm e Shkodrës nuk mund të japin leje të paligjshme. 

Shkolla ndoshta nuk ka autoritet për të ndërhyrë, por ajo mund të vërë në lëvizje të gjitha autoritetet për zgjidhjen e këtij problemi. Do ndërhymë që sot për ta verifikuar situatën dhe për ta zgjidhur sa më shpejt.

Ndërsa AKU Shkodër dhe kreu i saj Hasie Sadria, thotë, se nuk kërkohet leje nga ky institucion për këtë aktivitet. Kreu i AKU-së shpjegon, se është detyrim i drejtorisë së shkollës për të hequr çdo lloj biznesi në ambientet e saj.

Hasie Sadria:

Në lidhje me statusin e biznesit ka disa kategori për miratimin e aktivitetit nga QKB, kërkohet miratim nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Në rastin konkret nuk kërkohet miratim nga autoriteti. Është detyrë e drejtorisë së shkollës të bëjë njoftim pranë pushteti vendor për heqjen e të gjitha objekteve që janë brenda rrethimit të shkollave. Me marrjen e sinjalit, AKU shkon dhe ushtron kontrollin e subjektit në fjalë dhe kontrollojmë sigurinë ushqimore të produkteve që tregtohen. Por nga ana e drejtorisë së shkollës nuk është marrë një informacion i tillë, që të ketë brenda rrethimit të shkollës një operator biznes ushqimor që tregon për fëmijët.

/tvklan.al