Mijëra hektarë tokë vijojnë të jenë nën ujë në Shkodër. Bashkia e Shkodrës në përditësimin e të dhënave, mëngjesin e sotëm bën me dije se “hidrometri në Dajç në orën 08.30, shënon kuotën 6.32 m  (Kuota maksimale 6.30 m), hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.30,shënon kuotën 8.65 m (Kuota maksimale 8.70 m) dhe hidrometri i lumit Drin në orën 08.30,shënon kuotën 6.92 m (Kuota maksimale 7.50 m).

Sipërfaqja totale e përmbytur është 1880 hektarë, një shifër më e ulët se një ditë më parë por sërish situata nuk është përmirësuar me ritme të shpejta. Po ashtu mësohet se vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta dhe se është e kalueshme vetëm me mjete të larta pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm.

Ujësjellësi Oblika 1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit dhe furnizimi me ujë bëhet nga ujësjellësi i Shkodrës.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat. Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë.

Po ashtu mësohet se po vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme./tvklan.al