Prej 2 orësh i gjithë territori i Bashkisë Shkodër është përfshirë nga moti me reshje me intensitet të lartë dhe erëra të forta. Si pasojë, në disa segmente rrugore në qytet dhe fshat ka prezencë uji.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ju bën thirrje qytetarëve që të evitojnë daljen e panevojshme nga banesat gjatë këtyre orëve.

“Ju bëjmë apel që gjatë këtyre orëve të evitoni daljet e panevojshme nga banesat, por të bëni vetëm ato për arsye të domosdoshme.”

Më tej, kryebashkiaku i Shkodrës thotë se grupet e punonjësve të ujësjellësit dhe ndërmarrjeve janë në terren për të monitoruar situatën.

“Grupet e punonjësve të ujësjellësit dhe të ndërmarrjeve të Bashkisë Shkodër janë në terren për të monitoruar situatën dhe për t’i ardhur në ndihmë banorëve.”


Në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq me reshje të shumta shiu, Bashkia Shkodër bën me dije:

  • Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme në qytetin e Shkodrës
  • Ka prezencë të shtuar uji pranë Bulevardit “Skënderbeu”, në Sheshin “Isa Boletini”, në Sheshin “Demokracia” dhë pranë Urës Dërvishbeg
  • Nga ana e Bashkisë Shkodër, janë të angazhuar në terren të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike dhe Policisë Bashkiake.
  • Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ka në terren punonjës dhe mjete të specializuara për largimin e ujit por intensiteti i lartë i reshjeve që vazhdon e bën të vështirë ndërhyrjen.
  • Si pasojë e motit të keq disa fshatra nuk furnizohen me energji elektrike
  • Të gjitha strukturat e Bashkisë Shkodër janë në gadishmëri.

/tvklan.al