Një efektiv policie mbeti i plagosur rëndë dhe 3 të tjerë u lënduan më lehtë nga protestat e dhunshme që shpërthyen në Athinë mbrëmjen e së martës.

Turma e protestuesve prej rreth 5 mije personash sulmuan dy grupe të patrullave me motor, duke shtrirë përtokë njëri nga efektivët dhe e dhunuan barbarisht. Siç raportohet nga mediat greke, revolta e së martës ishte provokuar nga veprimi i policisë fundjavën që lamë pas.

Patrullat me motor kishin ndaluar në rrugë një familje në Athinë duke iu kërkuar që të mos dilnin për shkak të pandemisë. Debati ishte agravuar dhe policët kishin dhunuar dhe goditur me shkop gome njërin prej tyre. Kjo ngjarje solli incidentin e djeshëm në lagjen “Nea Smyrni” në Athinë, ku turma e huliganëve dhunoi rëndë policët dhe hodhi shishe me molotov.

Por pas këtij incidenti që u dënua nga zyrtarë të qeverisë dhe nga shtypi grek u konsiderua ngjarje e turpshme, nëpër rrjetet sociale dhe në disa portale doli një video ku shfaqen disa patrulla me motor të policisë greke mbrëmjen e së martës, që organizohen për të shkuar në vendin ku pati trazira të dhunshme.

Në video këta policë dëgjohen duke thënë “shkojmë t’i vrasim”, duke iu referuar protestuesve.

Opozita greke e ka dënuar incidentin, por nuk kanë kursyer as kritikat për sjelljen e policisë dhe të ministrit të Brendshëm.  /tvklan.al