

Shkolla e Paskuqanit 6 vjet pa energji, “Stop” zgjidh problemin me OSHEE-në
Shkolla 9 - vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri”, në Paskuqan, është ndërtuar në vitin 2011, por që atëherë e deri më sot sistemi elektrik nuk ka punuar asnjë ditë. Mësues e nxënës ankohen, dukë thënë se mësimi në këto kushte është mision i pamundur. Si të mos mjaftonin dritat, shkolla është katandisur edhe pa xhama dhe era hyn nga të gjitha anët.
Drejtori i shkollës, Ali Sida thotë se për këtë situatë ka komunikuar me Bashkinë e Kamzës, e cila fajëson kompaninë e ndërtimit dhe ish-komunën Paskuqan, që e ka marrë në dorëzim.

"Ne nuk kemi ngrohje, drunjtë i kemi siguruar vetë. Nuk na ka sjellë asnjë ndihmë bashkia!",
shprehet një nxënëse. Një tjetër thotë:"Ne kërkojmë që xhamat të rregullohen, ambienti të rregullohet, të vijë energjia se nuk shikojmë në dimër dhe kemi shumë ftohtë se xhamat janë të thyera!"
Gazetarja e emisionit "STOP" komunikoi me drejtorin e shkollës 9 - vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri”, Ali Sidën, për mungesën e infrastrukturës, energjisë elektrike dhe sistemi i ngrohjes.
"Kam bërë zakonisht shkresa zyrtare, jam interesuar pse s'ka energji elektrike. Përgjigjia e tyre është që duhet ta bënte firma, por s'e ka bërë. Normalisht, dihet që dikush e ka marrë në dorëzim shkollën, pushteti vendor e merr. Si u merrka një shkollë e re pa një firmë dhe një vulë zyrtarisht. Që nga ai moment e deri sot, gjatë gjithë kohës kam bërë kërkesa të vazhdueshme për t'u pajisur shkolla me energji elektrike."

"Dua t'i bëj thirrje Bashkisë Kamëz që të marrë të gjitha masat që të paktën këtë vit, stinën e dimrit ta kalojmë me dru. Jemi e vetmja shkollë pa sistem energjie elektrike dhe ngrohje".
Gazetarja e emisionit "STOP" iu drejtua Bashkisë Kamëz për të marrë një informacion se përse kur u ndërtua shkolla "Dom Nikollë Kaçorri" nuk kishte rrjet elektrik.
"Kam vënë në dijeni Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ndoshta pak me vonës, por i ka kryer të gjitha detyrimet që Bashkia Kamëz ka. Që më datë 09.02.2017 ka aplikuar pranë OSHEE-së për të lidhur një kontratë për këtë shkollë. Më 06.04.2017 është bërë edhe likujdimi i faturës së kontratës. Bashkia ka mbyllur procedurat e saj, i takon OSHEE-së që të zgjidhë këtë problem!"


"Bashkia ka bërë vetëm një pagesë për matësin e energjisë elektrike, por këtu po flasim për rrjetin që është në distancë 800 metra, i cili është detyrim i bashkisë sipas rregulloreve dhe ligjeve të miratuara. Ne kemi marrë një vendim që këtë investim ta bëjë OSHEE për të mos lënë shkollën dhe nxënësit pa energji elektrike, por edhe banorët që janë aty pranë".

tvklan.al