“Do të lë shkollën”, studentët e Bujqësorit pa konvikte pas tërmetit

Përveç pallateve shumëkatëshe apo banesave private, tërmeti i 26 Nëntorit preku edhe shkollat. Një ndër to është shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku”, në njësinë numër 5 në Tiranë.

Emisioni “Stop” shkoi atje dhe mësoi se janë bërë 2 akt-konstatime, më datë 3 dhe 4 Dhjetor. I pari e nxjerr shkollën me dëmtime në strukturë, por nuk cilësohet nëse është i banueshëm apo jo.

I dyti i cili është realizuar nga vetë drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, i cili e nxjerr këtë godinë pjesërisht të pabanueshme. Në këto kushte, prindërit e nxënësve nuk kanë siguri dhe prej ditësh nuk i kanë sjellë ata në shkollë. Ata kanë bërë një peticion duke marrë 164 firmat e prindërve të cilët kërkojnë siguri për fëmijët e tyre.

“Ne jemi me pikëpyetje të mëdha se kush është i duhuri”, u shpreh një prind.

“Nëse kjo pjesa e re është e pabanueshme, kush do na sigurojë që nuk do të marrë me vete dhe një pjesë nga ndërtesa, ku thuhet që mund të bëhet mësim”.

“Duam transparencë, kaq kërkojmë. Të sigurohemi mbi baza dokumentare që shkolla është e sigurt për fëmijët tanë. Që të shkojmë në punë jo me gjak të ngrirë se shkolla do pësojë dëmtime nga momentin në moment”. 

Një prej prindërve shprehet se pasi ka rënë tërmeti, bashkia ka stukuar dëmtimet brenda shkollës.

“Pas dy ditësh pasi ra tërmeti kam ardhur te shkolla. Ishte kyçur dhe dëgjoja zhurma. Me sa kuptova po punohej. Kam kapërcyer hekurat dhe kam parë që çdo gjë ishte e stukuar. Shumë shpejt i kishin mbaruar këto punë. Nuk e di a lejohen të bëhen këto punë”, tha ajo.

“Kur bëhet një vrasje gjëja e parë që bëhet është digjet makina e krimit. Edhe këtu bashkia po nxiton që t’i mbyllë”, tha një tjetër.

Por drejtori i Institutit të Ndërtimit, Hysenlliu thotë, se prindërit mund t’i dërgojnë fëmijët tek pjesa e banueshme, derisa të vijnë të tjerë profesorë, për aktin final të vlerësimit.

Drejtori Agron Hysenlliu: Akti i parë kur kanë vajtur, njerëzit kanë qenë të tronditur. I kanë thënë të dalin urgjent, se do hapet struktura, dhe kur është vënë i pari, Bashkia ka vajtur atje ka riparuar, e ka bërë…i ka rregulluar dhe akti i dytë, që kam vajtur e kam parë, i kam thënë, po ok, vazhdoni tek kjo këtu, tek kjo tjetra nuk do vazhdoni, deri sa të merren masat, për ta riparuar dhe për ta bërë.

Gazetarja: Domethënë pjesa tjetër e godinës nuk është se e dëmton pjesën…

Drejtori Agron Hysenlliu: Fare, fare, fare nuk e dëmton! Fare! Po të them, kam vajtur e kam parë dhe po të them, që ajo, që është e banueshme, e kemi dhënë për të banueshme, atë që nuk është e banueshme, e kemi vënë të pabanueshme.

Gazetarja: Prindërit duhet t’i sjellin në mësim?

Drejtori Agron Hysenlliu: Po është ligjore, moj Odeta! Si mos t’i sjellin fëmijët në mësim?! Ajo është ligjore! Është me firmë! Po patjetër! Atje, ku kemi thënë, që duhet të vazhdojë aktiviteti, të vazhdojë! Atje ku kemi thënë, që s’duhet të vazhdojë, nuk duhet të vazhdojë!

Drejtori Agron Hysenlliu: Profesorët e nderuar, do verifikojnë pjesën, që është e dëmtuar!

Gazetarja: Do bëjnë një tjetër akt-ekspertimit

Drejtori Agron Hysenlliu: Jo, jo! Ato po bëjnë akt-ekspertimin, që do të shikojnë, se çfarë  dhe si do të ndërhyhet!

Gazetarja: Domethënë është vendimi përfundimtar?

Drejtori Agron Hysenlliu: Po, Odeta!

Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, erdhi dhe reagimi i 3 institucioneve: Ministrisë së Arsimit, Bashkisë së Tiranës si dhe Institutit të Ndërtimit.

Dy të parat kanë urdhëruar drejtoreshën e kësaj shkolle, që të hapë dyert për grupet e ekspertëve, që do të kryejnë aktet e ekspertizës të deleguar nga Instituti i Ndërtimit. Madje është vendosur, që mësimi të pezullohet, deri sa të realizohet akt-ekspertiza për godinën e kësaj shkolle.

Ndërkohë në pjesën e parë, emisioni “Stop”, trajtoi problemin e dy godinave të tjera konvikteve që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti. Pas godinave të konviktit 3 dhe 4 të Fakultetit të Mjekësisë, dy të tjera dalin të pabanueshme.

Bëhet fjalë për godinat 9 dhe 10 të konviktit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, që kanë rezultuar të pabanueshme, duke lënë pa zgjidhje studentët. Këta të fundit thonë, se i është komunikuar nga Drejtoria, që të lënë godinat, sepse janë të pabanueshme.

Studentja 1: Këto godina janë të pabanueshme dhe zgjidhja e vetme na dhanë është që të shkoni nga të mundeni.

Gazetarja: Ju keni një kontratë me drejtorinë e konvikteve apo jo?

Studentja 1: Deri në fund të vitit kemi bërë pagesën e plotë. Unë jam nga Kavaja dhe nga momenti që godinat dolën të pabanueshme unë e kam bërë vajtje-ardhje.

Studenti 2: Unë jam nga Librazhdi dhe nuk e bëj dot rrugën vajtje-ardhje çdo ditë. Është shumë larg. Kemi ngelur jashtë nuk e di se ça do bëhet.

Gazetarja: Keni marrë dhe arushin me vete?

Studentja 3: Po transferohemi. Nga Mamurrasi. Çdo ditë do ta bëj vajtje-ardhje.

Edhe punonjësit nuk e dinë se ku do të shkojnë studentët.

Gazetarja: Ke gjetur ku të sistemohesh?

Studentja 4: Akoma jo.

Studentja 5: Jam nga Kukësi. Vajtje-ardhje nuk do e bëj, por do lë shkollën.

“Stop” i drejtua Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve nr. 3, ku pati një komunikim me Drejtorin e Konviktit Ndue Ndoci. Ai shprehet, se pas tërmetit pati 3-4 komisione verifikimi, që i nxorrën këto godina të pabanueshme. Derisa të gjendet zgjidhje, drejtori sugjeron, që studentët të rrinë aty, pavarësisht rrezikut.

Drejtori: Kanë ardhur 3-4 komisione, i kanë verifikuar dhe i kanë nxjerrë të pabanuara. duke pasur parasysh kryetari i bashkisë bashkë me stafin e vet na kanë dhënë një udhëzim që për 2-3 ditë të rrinë në godina derisa të gjejmë një zgjidhje”.

Gazetarja: Këto godinat e pabanueshme?

Drejtori: Këto dy ditë të rrinë që… derisa t’i gjejmë një zgjidhje. Në momentin kur të kryejmë sistemin e studentëve do të komunikojmë sëbashku.

/tvklan.al