Sorentino Spahiu është ish-nxënës i shkollës 9-vjeçare në Mëzez-Fushë. Ai e ka përfunduar arsimin 9-vjeçar në vitin 2017. Pas tre vitesh kërkon që të regjistrohet në shkollë të mesme, por e penalizon vendlindja, që i është shënuar gabim dy herë nga shkolla e Mëzez-Fushë. Gabimi i parë është bërë në dëftesën e lirimit dhe në vend të vendlindjes Durrës, i është shkruar Peshkopi. Herën e dytë në vërtetimin e lëshuar nga kjo shkollë, vendlindja është shkruar Bulqizë-Dibër.

Sorentino thotë se për shkak të këtyre gabimeve, nuk po regjistrohet dot në një shkollë të mesme.

“Kam bërë shkollën 9-vjeçare në Mëzez Fushë, e kam mbaruar në 2017-n. Duke qenë se kam qene jashtë vendit nuk e kam vazhduar dot ne atë kohë dhe tani që kam ardhur doja të regjistrohesha në një gjimnaz part time, tek Kostandin Kristoforidhi. Shkoj atje që të regjistrohem dhe më thonë që për dëftesën, që ma kanë bërë gabim vendlindjen dhe nuk të pranojmë dot me këtë dëftesë”.

“Paraqita dëftesën e lirimit, me notat që pata marrë kur mbarova në 2017-n dhe më thanë që vendlindja është gabim dhe do të shkosh të marrësh një vërtetim notash tek shkolla 9-vjeçare ku ke mbaruar që të të pranojmë, sepse e ke vendlindjen gabim. Vij tek shkolla, marr vërtetimin dhe shoh që edhe vendlindja është gabim edhe në vërtetim. Domethënë është bërë edhe në 2017-n gabim ditëlindja në dëftesën e lirimit dhe tani në 2020-n tek vërtetimi i notave. Në 2017-n ma kanë bërë Peshkopi, ndërkohë unë kam lindur në Durrës. Çdo dokument që kam, i kam të gjitha me vendlindjen në Durrës, ndërsa tani, tek vërtetimi i notave e kam vendlindjen Bulqizë, Dibër. Numri i Amzës është në rregull, vetëm vendlindjen ma kanë bërë gabim”.

Drejtoresha e shkollës Mëzez-Fushë, Diana Tanushi thotë se është bazuar tek Amza, por nuk pranon të japë detaje mbi këtë gabim, që i kushtoi të riut regjistrimin në shkollë të mesme.

Drejtoresha: Nuk kam të drejtë t’ju jap asnjë lloj interviste.

Gazetari: Përderisa ju keni bërë gabimin…

Drejtoresha: Ju lutem vazhdoni, përndryshe unë do të njoftoj organet përkatëse, ju lutem vazhdoni jashtë.

Gazetari: Kemi ardhur për ish-nxënësin tuaj, Sorentino Spahiu, që nuk po regjistrohet dot për shkak se ju.

Drejtoresha: Nuk mund të jap intervistë, pa marrë…

Gazetari: Nuk po kërkoj intervistë, po kërkoj informacion.

Drejtoresha: Ju lutem nuk mund të filmoni, jeni në shkelje, sepse unë duhet të marr lejen tek institucionet përkatëse.

Gazetari: Ish-nxënësi ka humbur të drejtën për t’u regjistrohet në gjimnaz, kjo pasi ju keni bërë vendlindjen gabim.

Drejtoresha: Ju lutem mund të vazhdoni jashtë.

Gazetari: Jo jo pa marrë një përgjigje unë nuk dal, me mirëkuptim më shpjego të lutem çfarë ka ndodhur. Këtë a e keni firmosur ju?

Drejtoresha: Unë e kam firmosur, referuar amzës.

E pas insistimit të gjatë që gazetari të dilte jashtë, drejtoresha tha: “Unë e sqarova shumë mirë. I thashë bëni një kërkesë drejtuar institucionit dhe unë zyrtarisht do ta nis tek Zyra Vendore Arsimore. Djali nuk më ka ardhur me kërkesë. Duhet patjetër një kërkesë zyrtare djali. “

Në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar, specialisti Sulejman Keta thotë vetëm se duhet dorëzuar dokumentet e më pas të ngrihet një grup pune për të shkuar në shkollë, që të verifikojë rastin.

Gazetari: Mund të sqarohemi pak, se nuk na pret puna?

Përgjegjësi i kurrikulës Sulejman Keta: Tani, të lutem, kamera të dalë jashtë!

Kjo kërkon zgjidhje juridike!

Gazetari: Djali ka lindur në Durrës dhe kjo e vërtetuar me dokumentat e identifikimit.

Përgjegjësi i kurrikulës Sulejman Keta: Lindur në Peshkopi…

Gazetari: Lëshuar në 2017-ën në dëftesën e lirimit. Ndërkohë, shkolla ku është interesuar për të vazhduar gjimnazin, i ka kërkuar vërtetim nga po i njëjti institucion arsimor 9-vjecar dhe i nxjerrë tani, nga Peshkopia, që e ka bërë në 2017-ën, këtë herë ia nxjerrë Bulqizë- Dibër. Ndërkohë, numri i amzës 28/10, nuk ka lëvizur.

Unë këtu kam edhe një dëftesë të klasës së katërt, lindur në Durrës, pra, është në rregull. Si është bërë ky gabim? Si zgjidhet? A ka një zgjidhje?

Përgjegjësi i kurrikulës Sulejman Keta: Patjetër, që do të ketë një zgjidhje. Do më lësh një fotokopje të kësaj dhe të kësaj, një kërkesë, që unë të ngre një grup, që të shkojë ta verifikojë në shkollë, sesi qëndron problemi dhe të kthej përgjigje për tri ditë. Ky, që lëshon notat (shkolla), ky ka të gjitha amzat, nuk ka amza drejtoria. ( Zyra Vendore e arsimit Parauniversitar).

Gazetari: Drejtoresha aty thotë, se “jam bazuar në amzë”. Si në amzë, dy herë del gabim? Një herë Bulqizë, një herë Peshkopi?/tvklan.al