Në Qershor të vitit 2011 u ndërtua shkolla “Dom Nikollë Kaçorri” në Paskuqan, për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor, që nisi më 11 Shtator. Por që prej këtij momenti e deri më sot, në këtë shkollë 9-vjeçare nuk ka vënë më dorë njeri për ta rregulluar. Mungon energjia elektrike, ngrohja dhe si të mos mjaftonin këto, xhamat e dritareve janë të thyera.

“Ne nuk kemi ngrohje, drunjtë i kemi siguruar vetë. Nuk na ka sjellë asnjë ndihmë bashkia”

, u shpreh një nxënëse.

Një tjetër tha:

“Ne kërkojmë që xhamat të rregullohen, ambienti të rregullohet, të vijë energjia se nuk shikojmë në dimër dhe kemi shumë ftohtë se xhamat janë të thyera!”

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me drejtorin e shkollës 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri”, Ali Sidën, për mungesën e infrastrukturës, energjisë elektrike dhe sistemit të ngrohjes.

“Kam bërë zakonisht shkresa zyrtare, jam interesuar pse s’ka energji elektrike. Përgjigjia e tyre është që duhet ta bënte firma, por s’e ka bërë. Normalisht, dihet që dikush e ka marrë në dorëzim shkollën, pushteti vendor e merr. Si u merrka një shkollë e re pa një firmë dhe një vulë zyrtarisht. Që nga ai moment e deri sot, gjatë gjithë kohës kam bërë kërkesa të vazhdueshme për t’u pajisur shkolla me energji elektrike.”

Drejtori Sida u shpreh se në mungesë të energjisë elektrike, shkolla 9-vjeçare është pajisur me sobë dhe dru nga Komuna, por prej 2 vitesh është ndërprerë.

Ai e përmbylli duke thënë:

“Dua t’i bëj thirrje Bashkisë Kamëz që të marrë të gjitha masat që të paktën këtë vit, stinën e dimrit ta kalojmë me dru. Jemi e vetmja shkollë pa sistem energjie elektrike dhe ngrohje”.

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Bashkisë Kamëz për të marrë një informacion se përse kur u ndërtua shkolla “Dom Nikollë Kaçorri” nuk kishte rrjet elektrik.

Drejtori për Arsimin, Gani Berisha tregoi se prej 2 vitesh kjo shkollë ka kaluar në administrimin e Bashkisë Kamëz, ndaj dhe janë në dijeni të situatës së saj.

“Kam vënë në dijeni Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ndoshta pak me vonesë, por i ka kryer të gjitha detyrimet që Bashkia Kamëz ka. Që më datë 09.02.2017 ka aplikuar pranë OSHEE-së për të lidhur një kontratë për këtë shkollë. Më 06.04.2017 është bërë edhe likujdimi i faturës së kontratës. Bashkia ka mbyllur procedurat e saj, i takon OSHEE-së që të zgjidhë këtë problem!”

Drejtori i Komunikimit OSHEE, Ardian Kola tha se kjo është një histori 7-vjeçare që është shkaktuar nga mungesa e rrjetit elektrik, pasi para se të ndërtohej duhej të ishte përfshirë linja, nga ku do të merrej energjia elektrike. Sipas ligjit, të gjitha shpenzimet për kabinën, rrjetën e tensionit, shtyllat etj, duhet të mbuloheshin nga Bashkia, por kjo e fundit nuk ka patur mundësi financiare për t’i paguar.

“Bashkia ka bërë vetëm një pagesë për matësin e energjisë elektrike, por këtu po flasim për rrjetin që është në distancë 800 metra, i cili është detyrim i bashkisë sipas rregulloreve dhe ligjeve të miratuara. Ne kemi marrë një vendim që këtë investim ta bëjë OSHEE për të mos lënë shkollën dhe nxënësit pa energji elektrike, por edhe banorët që jetojnë aty pranë”.

/

tvklan.al