Shkolla sekrete e Finlandës për fëmijët e luftëtarëve të IS-it



Shkolla sekrete e Finlandës për fëmijët e luftëtarëve të IS-it

18:01 29/11/2021

Në shtëpinë e saj, në kryeqytetin finlandez, Ilona Taimela rishikon qindra shkëmbime në WhatsApp me ish-nxënësit e saj – fotografi kafshësh, detyra matematikore dhe fjali të thjeshta në anglisht dhe finlandisht.

Vitin e kaluar, ajo iu dha mësim një numri fëmijësh finlandezë, të izoluar nja 3,000 kilometra larg, në kampin e të zhvendosurve Al-Hol, në Siri – duke përdorur vetëm aplikacionin e njohur të komunikimit.

Al-Hol është një kamp i madh plot tenda, ku janë të strehuar rreth 60,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, të zhvendosur nga lufta e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të çrrënjosur grupin militant, Shteti Islamik nga Siria e dërrmuar nga konflikti.

Në mesin e tyre janë edhe mijëra fëmijë të nënave të huaja, të cilat kanë udhëtuar në Siri, për t’u bërë gra të xhihadistëve të IS-it.

“Disa prej fëmijëve as nuk e dinin se çfarë është një ndërtesë, çfarë është një shtëpi, sepse ata gjithmonë kanë qëndruar në tendë”, ka thënë Taimela për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

“Kishte aq shumë gjëra që atyre iu desh të mësonin”.

Vëzhguesit e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se fëmijët e kampit janë vazhdimisht të rrezikuar nga dhuna, nga higjiena e dobët, dhe nga zjarret.

“Është vend i mjerueshëm, është jashtë kontrolli”, ka thënë Jussi Tanner, i dërguar i posaçëm i Finlandës, i ngarkuar me detyrën e sigurimit të të drejtave themelore të fëmijëve finlandezë në Al-Hol, përfshirë qasjen në përkujdesje shëndetësore dhe në shkollim, dhe riatdhesimin eventual.

Propaganda ekstremiste aty “shpërndahet lirshëm, pa kundërvënie”, ka treguar ai.

Tannerit i ka lindur ideja e mësimdhënies nëpërmjet telefonit për fëmijët finlandezë të Al-Holit, kur nxënësit kudo nisën të mësonin nga distanca, me fillimin e pandemisë së koronavirusit.

Me ndihmën e Fondacionit për Mësim të Përjetshëm të Finlandës, zyrtarët angazhuan Taimelan, specialiste e mësimdhënies për fëmijët finlandezë jashtë vendit, dhe një mësuese tjetër, për të hartuar një planprogram dhe për të dhënë mësim.

“Si është moti atje?”

Meqë telefonat ishin të ndaluar në kamp, mësimi duhej të jepej në mënyrë të fshehtë, ndërsa projekti i ndjeshëm politikisht po ashtu duhej të mbahej i fshehtë nga publiku finlandez.

Tanner iu dha nënave detaje për orët vullnetare të mësimit.

“Të njëjtën ditë, ne konfirmuam mbase tetë fëmijë”, ka treguar Taimela.

Pak më vonë, u bënë 23 nxënës – nga rreth 35 fëmijë finlandezë që ishin në kamp.

“Mirëmëngjesi! Sot është e enjte, 7 maj 2020. Dita e parë e mësimit nga distanca!”.

Mesazhi i parë i Taimelas për fëmijët përfshiu një fotografi të saj duke buzëqeshur.

“Dielli po rrezon këtu në Finlandë. Si është moti atje?”.

Taimela dhe kolegia e saj shkëmbenin çdo ditë qindra mesazhe me shkrim dhe me zë, me fëmijët të cilët mësonin një apo dy lëndë në ditë.

“Të vegjlit gjithmonë mësonin finlandishten, ndërsa më të rriturit gjeografinë apo historinë, ndërsa disa prej tyre gjithashtu donin të mësonin anglishten”.

Dërgimi i fotografive shkaktonte ngarkesë, prandaj mësueset shfrytëzonin ikonat, të njohura si ‘emoji’ – por më pas kuptuan se nuk kishte simbole për fraksionet matematikore apo për tortën e njohur finlandeze me boronica.

“Gjatë vitit arriti ikona e boronicës, dhe u gëzuam shumë”, ka kujtuar Taimela, duke qeshur.

Pavarësisht se dinin shumë pak gjëra për fëmijët, Taimela ka thënë se ajo dhe kolegia e saj ishin të “të brengosura tërë kohën për mirëqenien e tyre”.

“Veçanërisht kur dëgjuam se ata ishin sëmurë, apo kur një stuhi kishte rrëzuar një tendë”.

Komunikimi me disa prej familjeve ndërpritej herë pas here.

“Disa prej tyre iknin nga kampi”, ka treguar i dërguari i posaçëm, Jussi Tanner, “dhe i ndiqnin mësimet teksa po lëviznin nëpër Sirinë veriperëndimore, në një zonë ku zhvilloheshin luftime”.

Të tjerët befas riatdhesoheshin, dhe braktisnin grupin e mësimit përgjithmonë. Pas mësimit disamuajsh, nëna e një fëmije gjashtëvjeçar ka treguar se vajza e saj tani mund të lexonte.

“Jo të gjithë gjashtëvjeçarët në Finlandë mund ta bëjnë këtë”, ka thënë Taimela, duke buzëqeshur. “Ishte një moment i paharrueshëm”.

“Krenare me atë që kemi bërë”

Luftëtarët e IS-it shpallën “kalifatin” në pjesë të mëdha të Sirisë, dhe të Irakut fqinj, më 2014, tre vjet pas fillimit të luftës civile në Siri.

Taimela thotë se ndjen “pikëllim, më shumë se zemërim” për nënat që i përfshinë fëmijët e tyre në konflikt. Shumë prej tyre ishin të brishta, dhe i besonin premtimeve të xhihadistëve se do të jetonin në “njëfarë parajse”.

Por, disa ofensiva ushtarake u frenuan përballë proto-shtetit brutal të IS-it, deri kur forcat kurde të Sirisë e shpallën atë të mposhtur. Kombet hezituese perëndimore që atëherë kanë riatdhesuar një numër qytetarësh të tyre, të lidhur me IS-in – kryesisht fëmijë.

Taimela ishte pajtuar me faktin se kurrë nuk do ta kuptonte se çfarë kishte ndodhur me fëmijët e riatdhesuar të cilët i kishte mësuar, por një ditë u ftua të shkonte në një qendër pranimi në Finlandë.

“Ishin disa orë emocionuese”, ka kujtuar ajo takimin ballë për ballë me disa prej nxënësve të saj, për herë të parë. Ata “ishin lidhur shumë”, dhe Taimela iu lexoi atyre.

“Doja vetëm të dija ‘si janë gjërat, si mund të ndihmoj?’”, ka treguar ajo.

Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës deri më tani ka riatdhesuar 23 fëmijë dhe shtatë të rritur. Tanner ka thënë për AFP-në se vetëm rreth 15 për qind e individëve “vështirë të arritshëm”, prej të cilëve 10 janë fëmijë, vazhdojnë të jenë në kampe, në Siri.

Kjo çështje fillimisht kishte shkaktuar përçarje në Finlandë, por kundërshtimet “nuk janë më aq të zëshme”.

Mësimet e Taimelas përfunduan natyrshëm në mesin e vitit 2021, ndërsa ministria më vonë e njoftoi publikun për projektin. Ajo tani po mendon se si ta përdorë modelin novator të mësimdhënies në zona tjera të krizës apo në kampe të tjera, dhe ka marrë kërkesa për ta zbatuar atë në Greqi, në Mianmar dhe në Kolumbi.

“Mësuesja e Al-Holit, kështu më quajnë tani”, është shprehur Taimela, duke buzëqeshur.

“Por, unë jam krenare me atë që kemi bërë”./REL








Të ngjashme