Shkollat hapin dyert të hënën


Shkollat hapin dyert të hënën

15:44 12/09/2020

MAS: Mësuesit me Covid do të zëvendësohen

“Të gjitha shkollat do të hapin dyert të hënën për të mirëpritur nxënësit, edhe pse këtë vit me një realitet të ri të kushtëzuar nga pandemia e koronavirusit”.

Në disa shkolla janë identifikuar mësues të infektuar me koronavirus, por kjo nuk do të çojë në mos hapjen e shkollave.

“Shkolla Jeronim de Rada është një prej shkollave në kryeqytet e cila ka 5 mësues të infektuar me koronavirus, ndërsa janë në pritje të rezultateve të testit të gjithë mësuesit e shkollës. Pavarësisht kësaj situate, Ministria e Arsimit tha për Televizionin Klan se ajo do të fillojë procesin mësimor të hënën, ndërsa do të bëhet zëvendësimi i mësuesve të infektuar.

E njëjta procedurë, sipas Ministrisë së Arsimit, do të ndiqet me të gjitha shkollat që tashmë kanë mësues që janë izoluar si pasojë e Covid-19

Por ky vendim është vetëm për fillimin e shkollës, pasi protokollet e Institutit të Shëndetit Publik dhe po ashtu rregullorja e hartuar nga Ministria e Arsimit parashikon që në rastet kur një mësues apo nxënës do të infektohet, atëherë do të bëhet vlerësimi i rastit që mund të çojë nga mbyllja e një klase deri në mbylljen e shkollës.

Në të gjithë vendin janë rreth 480 mijë nxënës dhe 30 mijë mësues që do të zhvillojnë mësim në 1760 shkolla. Sa i takon procesit mësimor në 1100 shkolla do të jetë me një turn, në 480 me dy turne dhe në 180 shkolla me 4 turne. Ministria e Arsimit bën me dije se ka në gatishmëri edhe 1 mijë mësues të cilët do të rekrutohen në rastet kur do të jetë e nevojshme.

Tv Klan





Të ngjashme