Shkollë apo kazermë? Bëmat e drejtoreshës së gjimnazit ku u hodh gaz në klasa



Shkollë apo kazermë? Bëmat e drejtoreshës së gjimnazit ku u hodh gaz në klasa

21:02 25/06/2020

Jemi ndalur sot në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, i vënë së fundi disa herë në qendër të vëmendjes për rastet e përsëritura të gazit helmues të hedhur në ambientet e shkollës.

Një nga mësueset më të vjetra të këtij institucioni arsimor, Parashqevi Nikolla, tregon se shkolla, dikur elitë, është kthyer në vend terrori nga drejtoresha Fereniqi Fuli, që nga Dhjetori 2019, kur ajo u emërua në këtë post.

Mësuesit thonë se zonja Fuli është e paaftë të menaxhojë dhe kërkon të reduktojë numrin e nxënësve me 400, duke shkurtuar dhe 25 arsimtarë. Si të mos mjaftonte kjo, drejtoresha e ka kthyer shkollën në kazermë, duke mbyllur dyert me çelës.

Parashqevi Nikolla: Unë jam një mësuese me eksperiencë në gjimnazin “Janaq Kilica”, një gjimnaz me emër që ka nxjerrë studentë të aftë, që kanë nxjerrë nxënës që kanë marrë pjesë në olimpiada. Këtë vit shkollor, sidomos nga Dhjetori deri më tani, në këtë shkollë kanë lindur shumë probleme dhe është për të ardhur keq të mendosh që me ardhjen e një drejtoreshe të re, në vend që gjimnazi të bënte më përpara, të sillte reforma të reja, ide të reja bashkëpunuese, po ndodh e kundërta, një regres në gjimnazin tonë. Është një kolektiv i tërë që është tej mase i indinjuar dhe i shqetësuar nga mënyra se si po sillet dhe se si po vepron kjo drejtoreshë me ne. Qëkur ka ardhur në muajin Dhjetor kjo drejtoreshë e re, mendimi i kolektivit nuk merret për bazë fare. Është një drejtoreshë që nuk ka komunikim, nuk ka frymën e bashkëpunimit, kërkon që çdo problem ta zgjidhë vetë, me metodën, me mënyrën e saj. Por mendoj se kështu nuk ecet. Fakti që ajo erdhi në shkollë dhe u mundua të sillte një frymë terrori, një frymë diktature…e them këtë sepse e mbylli shkollën, i mbylli të gjitha dyert, duke mos lejuar absolutisht daljen edhe të nxënësve, edhe të mësuesve. Po tani në fund të fundit, mësimin mësuesi e bën vetë. E di vetë, nuk ka nevojë t’ia mësojë tjetri. Aq më tepër kur ke të bësh me një shkollë të tillë. Normalisht shkolla ka rregullat e veta dhe kuptohet, në çdo institucion orari është orar dhe duhet të zbatohet, por ku qëndron e keqja? Edhe mësuesi nëse vinte me vonesë, nuk duhet të përballet me rojën e shkollës, në një kohë që roja thoshte kam urdhër nga drejtoria të mos e hap portën dhe mësuesi të denigrohet. Roja ka për detyrë të ma hapë mua derën, pastaj drejtoresha të më thërrasë në zyrë dhe të më thotë ti sot ke shkelur ligjin, ke ardhur me vonesë në punë. Por jo të denigrohet figura e mësuesit, të presë me minuta të tëra dhe të denigrohet nga një roje. Kjo pati një reagim shumë të fuqishëm edhe nga nxënësit, edhe nga mësuesit. Reagimi i nxënësve u pa më së miri edhe tek hedhja e gazit, u hodhën disa herë gaz në shkollë, ishte një formë proteste që bëhej kundër drejtoreshës. Pse më përpara nuk ka patur probleme të tilla. Ne nuk kemi dëgjuar. Dhe ç’është më e keqja, mirë se u hodh gazi sa herë, por kjo drejtoreshë si nuk e mblodhi këtë kolektiv? Absolutisht asnjëherë nuk na mblodhi.

Në emisionin “Stop” kanë mbërritur denoncime për drejtoreshën e gjimnazit “Janaq Kilica”, ku ajo ka propozuar reformimin e kësaj shkolle duke reduktuar numrin e nxënësve dhe të mësuesve.

Parashqevi Nikolla: Në datën 5 Qershor drejtoresha në mbledh dhe na komunikon ‘më vjen keq, por regjistrimet e nxënësve do të reduktohen, do të mbyllen klasat dhe për rrjedhojë do të ketë edhe shkurtime të mësuesve. Ne kapacitetet i kemi shumë të mëdha, sepse lavdi Zotit kemi dy godina dhe me drejtoreshën e mëparshme i kishim ndarë klasat, maturat në një shkollë dhe klasat e 10-11 në një tjetër. Ky është fat i madh që ne kemi dy godina. Unë mendoj se drejtoresha është e paaftë të menaxhojë një kolektiv kaq të madh dhe në kushtet kur nuk arrin ta menaxhojë, kërkon ta reduktojë dhe ta mbyllë në vetëm një godinë…dhe duke qenë se ajo doli edhe tek problemi tjetër që është hapja e dosjeve, kjo e irritoi edhe më shumë kolektivin duke na detyruar ne që me 5 qershor të protestonim tek ZVA.

Hapja e dosjeve ka të bëjë me vlerësimin e mësuesve në bazë të pikëve, e gjithë procedura bazohet tek udhëzimi 13, i cili ka një sërë mangësish pasi vlerëson vetëm kualifikimet dhe certifikimet në dosjen e mësuesit dhe  ka lënë jashtë vëmendjes vjetërsinë dhe përvojën e mësuesve të vjetër.

Këtë mangësi e konstaton e irrituar edhe vetë drejtoresha e Zyrës Arsimore Fier, Yllka Beci.  

Drejtoresha e ZA Fier,Yllka Beci –Dhe  unë s’kam qenë dakord. Kam qenë e para drejtuese e ZA-së në Republikën e Shqipërisë, që kam ngritur zërin dhe kam thënë duhet të rrëzohet 13. E thotë 13, por 13 nuk e kam ….  Kam qenë një ndër drejtueset, që kam ngritur zërin me të madhe, është hequr vjetërsia e mësuesit, vjetërsia e mësuesit nuk krahasohet me kualifikimin. Vjetërsia është  përvojë pune, kurse kualifikimi është cilësi, tregon, që Yllka është nivel i dobët, Fadili është niveli shumë mirë për profilin, që jep kualifikim. /tvklan.al




Të ngjashme