Veliaj: Bashkëpunimi me qeverinë sjell zgjidhje për njerëzit

Banorët e rrugës 5 maji në Njësinë numër 8 në kryeqytet do të kenë së shpejti dy shkolla të reja një të mesme dhe 9-vjeçare, brenda së cilës është integruar dhe kopshti. Punimet me hapjen e  themeleve u inspektuan nga kryebashkiaku veliaj.

Sa herë nisim ndërtimin e një shkolle të re jam plot entuziazëm. Çdo fëmijë që do të shkojë në shkollë do të marrë dije dhe e ka fare pranë shtëpisë së tij. Prandaj na duhet bashkëpunimi qeveri-bashki sepse vetëm me këtë qeveri kemi arritur të bëjmë kaq shumë punë të mira. Shumë prej këtyre shkollave, përfshirë edhe atë tek Instituti Bujqësor, tek “Don Bosko”, tek “Shqiponja”, i kemi bërë 50 me 50; pra një pjesë qeveria, një pjesë bashkia”, tha Veliaj.

Veliaj shprehu rëndësinë që kanë vazhdimësia e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkisë dhe për këtë ai theksoi se është i nevojshëm një mandat i tretë qeverisës.

“Kemi patjetër interes ta vijojmë këtë bashkëpunim edhe në mandatin e tretë të qeverisë, sepse ky bashkëpunim prodhon zgjidhje për njerëzit që kanë nevoja. Kjo këtu do të jetë shkolla më e madhe në Republikë, me 10 mijë metra katrorë, e cila do të ketë hyrje të veçanta për parashkollorët, për 9-vjeçaren dhe për shkollën e mesme”, u shpreh ai.

Në turin e takimeve në Njësinë 8, kryebashkiaku zhvilloi një bashkëbisedim edhe me bizneset e zonës, si dhe me stafin e kësaj njësie administrative, të cilëve u kërkoi mbylljen e dosjeve të tërmetit dhe finalizimin e procesit të dhënies së pagesave.

Tv Klan